Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është takuar të mërkurën në Berlin me ambasadorin Detlef Wächter, Përfaqësuesin e Përhershëm të Gjermanisë në NATO.
Në fokus të takimit ishte thellimi i bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, si dhe mbështetja gjermane për rrugën euroatlantike të Kosovës.
Sipas Maqedoncit, gjatë takimit është diskutuar për mundësitë e avancimit të partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, me theks të veçantë në bashkëpunimin ushtarak dhe zhvillimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Një ndër çështjet kryesore ishte edhe mundësia e trajnimit, edukimit dhe zhvillimit profesional të pjesëtarëve të FSK-së në shkollat dhe kurset e NATO-s.
Po ashtu, është diskutuar synimi strategjik i Kosovës për anëtarësim në NATO dhe rëndësia e mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë në realizimin e këtij objektivi.
Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka vlerësuar rolin e Gjermanisë si partnere strategjike në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe avancimin e integrimit euroatlantik të Kosovës.
“Gjermania mbetet një partner i rëndësishëm strategjik i Republikës së Kosovës në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe avancimin e integrimit euroatlantik”, ka shkruar Maqedonci./teve1.info./







