Më 3 nëntor, kryeministri Albin Kurti njoftoi se nga raportet e reja të ADN-së është identifikuar se mbetjet mortore të gjetura nga gërmimet në fshatin Kalludër të Zubin-Potokut janë edhe të Adem Ademit.
Por, familja e tij ka vendosur që familjarin e tyre që për 27 vite nuk e dinin se ku prehej, ta rivarrosnin më 28 nëntor.
Para kësaj, nën patronatin e Komunës së Mitrovicës u mbajt një akademi përkujtimore në nder të tij.
“Përtej profesionit të mjekut dhe patriotit, Adem Ademi u angazhua edhe në aktivitete të tjera patriotike, iniciativa për pajtimin e gjaqeve me Anton Qetën për kauzën kombëtare”, tha kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci.
Disa fjalë pati edhe ministri Andin Hoti.
“Për 27 vjet, familja Ademi ka pasur një pyetje: ku është Ademi? Si biri i një personi të zhdukur, e njoh peshën e kësaj pyetjeje dhe pritjen për përgjigje”,deklaroi Andin Hoti.
E edhe djali i Adem Ademit, Erblini, tregon emocionet që kanë ai dhe familja pas 27 vjetësh.
“Ky është një moment i rëndë, të cilin e kemi pritur dhe nuk i mbyll plagët që kullojnë dhimbje. Do të kërkojmë zbardhjen e krimit dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë”, tha Ademi.
Pas akademisë, rreth orës 14:30 të kësaj së shtune, në varrezat e fshatit Shipol pati një numër të madh qytetarësh, pavarësisht motit të ftohtë.
Për t’i dhënë lamtumirën e fundit Adem Ademit.
E kur ceremonitë përfunduan, ndjenjat ishin të përziera edhe për motrën e tij, Lutfije Ademi.
“Ajo dhimbja, pritja e 27 vjetëve, sot na u shpërblye. Është dhimbje e madhe dhe krenari, mburrem me vëllain”, tha Lutfije Ademi.
“Grupi i Intelektualëve të Mitrovicës”, që përbëhej prej 23 personash, ishte zhdukur që nga prilli i vitit 1999, ndërsa në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profesionistë të tjerë.



