Simbolet shqiptare i mbajnë kudo me vete.
Edhe veshjet, i kanë me karaktere kombëtare.
Por, vendlindja e kësaj familje, është Houstoni i largët i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Familja shtatë anëtareshe, ka kohë që ka nisur vizita në vende të ndryshme të botës.
Por, me shqiptarët lidhja u forcua kur vajza e vogël e çiftit Hegan, lindi në Tiranë.
“Kemi rreth tre muaj e pak që po jetojmë në Kosovë. Në fakt, nuk kishim ndonjë motivim të madh për të ardhur këtu. Fillimisht donim vetëm të vizitonim vendin. Vajza jonë ka lindur në Tiranë, në Shqipëri, dhe ne dëshironim që një ditë t’i tregonim për kulturën në të cilën ka lindur. Prandaj qëndruam për një kohë në Shqipëri pas lindjes së saj, njohëm njerëz, mësuam gjuhën dhe më pas vendosëm të vinim në Kosovë, pasi këtu jetojnë shumë shqiptarë dhe menduam se mund të mësonim më shumë për kulturën shqiptare”, tha Chris Hegan.
Familja amerikane 28 Nëntorin e këtij viti, po e festojnë në Kosovë.
Por, kjo nuk është festa e vetme në këtë datë për çiftin Chris dhe Tera Hegan.
Në ditën më të rëndësishme për shqiptarët, e feston ditëlindjen edhe djali i tyre.
“Ai ka lindur më 28 Nëntor, në Ditën e Flamurit. Kjo është një lidhje tjetër e veçantë që kemi me kulturën shqiptare, ashtu si edhe fakti që vajza jonë ka lindur në Tiranë. Ndihemi shumë të tërhequr nga kjo kulturë dhe mendojmë se është e mrekullueshme të mësosh për të. Shpresojmë të vazhdojmë të mësojmë edhe më shumë”, theksoi Hegan.
Ndonëse jetojnë mijëra kilometra larg, Kosova nuk është vend i panjohur për amerikanët.
“Për të qenë të sinqertë, në shkollë nuk kemi mësuar shumë për Kosovën. Kisha dëgjuar diçka për luftën, por vetëm në mënyrë sipërfaqësore. Kur erdhëm këtu, mësuam shumë më tepër për atë që kishte ndodhur në të vërtetë dhe për rolin që kishte luajtur Amerika në ato zhvillime. Na habiti fakti se sa ngrohtësisht na pritën njerëzit vetëm pse ishim amerikanë. Ishte diçka e fortë për ta përjetuar, por në kuptimin më pozitiv të mundshëm”, theksoi ai.
E mjaftuan disa muaj në Kosovë, që familja t’i mësojnë edhe fjalët e para shqip.
“Mësimi i gjuhës shqipe po shkon shumë mirë. Më pëlqen të mësoj fjalë dhe shprehje të reja, por edhe t’i dëgjoj dhe t’i shoh në jetën e përditshme apo në filma. Kur shohim titrat në shqip, themi me entuziazëm: “Hej, këtë fjalë e dimë!” Djemtë tanë flasin shqip me njëri-tjetrin gjatë gjithë ditës dhe më habit sa mirë po përparojnë vetëm duke praktikuar”, deklaroi Tera Hegan.
E gjuhën shqipe kanë filluar të mësojnë edhe fëmijët.
Për familjen nga Houstoni, kjo mund të mos jetë vizita e fundit në Kosovë.
Shkak për këtë, thonë se mikpritja dhe ushqimi.
“Sa i përket ushqimit, ne i adhurojmë qebapat. Madje kemi edhe tani në frigorifer. I kemi ngrënë këtë mëngjes! Flinë ende nuk kemi pasur rast ta provojmë, por byreku na pëlqen shumë, vërtet shumë. Shpresojmë ta provojmë flinë së shpejti, ndoshta edhe sot”, tha Hegan.
Ndryshe, familja Hegan thonë se nisën të udhëtonin për të përjetuar përvoja të ndryshme me fëmijët e tyre.
https://www.facebook.com/chantera.hagan






