Po i bëjnë duart bashkë, për simbolin.
E ngjyrat e flamurit kuq e zi i ka marrë edhe monumenti i Pavarësisë së Kosovës, “Newborn”
Aty nuk mungon as emblema e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Këtë imazh të ri për festën e flamurit kombëtar e bënë përfaqësuesit e platformës “Liria ka emër”
“Kemi punuar gjatë në këtë projekt, që nga marsi i dytë, sepse kemi menduar që njerëzit të cilët janë të lidhur me shtetin duhet t’i nderojmë edhe në forma të tjera. Në këtë rast, rrëfimin e atyre që kemi përjetuar të gjithë, vuajtjen e kemi parë të gjithë dhe normalisht nuk ka pasur mënyrë më të mirë se 28 Nëntori pa e shënuar ditën e ngadhënjimit të UÇK-së, pa e shënuar Ditën e Flamurit. Ka qenë një muaj që ka qenë i rëndësishëm për shkak të betejave të tyre dhe ëndrrës së madhe të tyre: kalimin e shtetit të Kosovës”, deklaroi Eliza Hoxha nga platforma “Liria ka emër”.
Hoxha thotë se beteja në Hagë ka krijuar një moment të ri shoqëror.
“Ky monument e përfaqëson lindjen e shtetit të Kosovës, por sot vjen ndryshe – jo në 17 shkurt, por në 28 nëntor – për ta rikujtuar idenë dhe rrugëtimin që e kemi bërë të gjithë bashkë. Kosova ka pasur nevojë për ta rikthyer këtë, Kosova ka pasur nevojë me e rikthyer kujtesën, jo vetëm tek ne që kemi përjetuar beteja të vështira për shërim, por edhe gjenerata të reja”, u shpreh ajo. Beteja e Hagës e ka krijuar një moment të ri shoqëror, i cili ka qenë rigjenerim i të rinjve që s’e kanë përjetuar luftën, në raport me emocionin edhe me dëshirën për t’u identifikuar me çfarë ka qenë, çfarë ka ndodhur vërtet dhe ku jemi sot” shtoi ajo.
Ajo tregon se ky imazh do të jetë i përkohshëm.
“Është një gjeneratë e re, të cilës i mbetet barra për me e rikujtuar rëndësinë e historisë edhe të betejave për çlirim, për me e memorizuar, për me e punuar çdo ditë për kujtesën tonë kolektive, edhe me e lartësuar atë që ka ndodhur. Sepse një gjeneratë që vjen me vite, neve na ka rënë një histori tjetër, atyre që janë më të rinj me vite është shumë më e vështirë edhe para luftës edhe tani, për me e mbrojtur edhe një herë idenë e Kosovës së lirë dhe shtetit të pavarur, e cila vjen një ditë si kjo”
“Neëborn” ka marrë pamje të re çdo vit, në prag të Pavarësisë së Kosovës, por kësaj radhe, pamje të re mori edhe për 28 nëntor, kësisoj duke u bashkërenduar me festat e nëntorit”, theksoi Eliza Hoxha.






