Bayern Munich do të përballet me Borussia Dortmundin në derbin e madh të Bundesligës, të njohur si “Der Klassiker”, pa trajnerin Vincent Kompany në stol.
Megjithatë, mungesa e trajnerit belg nuk pritet të ndikojë në përgatitjet e bavarezëve për këtë përballje, ka bërë të ditur ndihmëstrajneri Aaron Danks.
Kompany u lirua nga spitali të mërkurën, pasi javën e kaluar pësoi një kolaps gjatë një seance stërvitore, si pasojë e një acarimi meningeal. Ai pritet të qëndrojë për një periudhë jashtë ekipit, për t’u rikuperuar plotësisht.
Në konferencën për media para ndeshjes, Danks theksoi se skuadra është e gatshme për sfidën ndaj Dortmundit dhe se nuk do të ketë ndryshime të mëdha në mënyrën e përgatitjes.
“Ne duam që lojtarët të dalin në fushë dhe të tregojnë se kush janë. Nuk do të ketë ndryshime të mëdha. Do të jemi gati dhe shumë konkurrues”, deklaroi Danks.
Ai shtoi se stafi teknik i Bayernit funksionon si ekip dhe se secili trajner ka mënyrën e vet të punës, duke plotësuar njëri-tjetrin.
Edhe drejtori sportiv i klubit, Max Eberl, vlerësoi punën e stafit në këtë periudhë, duke theksuar se skuadra ka vazhduar përgatitjet pa probleme të mëdha.
Bayerni dhe Dortmundi janë në krye të tabelës së Bundesligës me pikë të barabarta, ndërsa skuadra bavareze mban pozitën e parë falë gol-diferencës.
Pas “Klasiker”-it, Bayernin e pret edhe një udhëtim në Madrid, ku të martën do të përballet me Atletico Madridin në kuadër të Ligës së Kampionëve.











