67 deputetë votuan pro ndarjes së mjeteve për komisionin që do të hetojë veprimet dhe mosveprimet institucionale para vrasjes së 49-vjeçares.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndarjen e 62 mijë eurove për punën e Komisionit Hetimor Parlamentar, i cili do të trajtojë veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt.
Vendimi është miratuar me 67 vota të deputetëve.
Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, u vra më 25 tetor, ndërsa si i dyshuar kryesor për këtë rast është ish-kunati i saj, Albert Sylaj.
Rasti kishte marrë vëmendje të madhe edhe për shkak të zhvillimeve që i paraprinë vrasjes. Pak orë para ngjarjes, ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, ishte ndaluar nga organet e rendit, pasi Zekaj e kishte denoncuar për mosrespektim të urdhrit mbrojtës.
Pas kthimit në shtëpi, 49-vjeçarja u vra me sëpatë brenda banesës së saj.
Për këtë rast, përveç të dyshuarit Albert Sylaj, janë arrestuar edhe katër persona të tjerë.
Ngjarja është përcjellë edhe me masa disiplinore dhe ndryshime në Policinë e Kosovës. Pas rastit, pati një varg suspendimesh në polici, ndërsa dorëheqje nga pozita dha edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë.
Ndërkohë, përmes protestave publike është kërkuar edhe përgjegjësi politike për rastin, përfshirë dorëheqjen e ministrave përgjegjës. Megjithatë, ministrat kanë refuzuar të japin dorëheqje.
Me ndarjen e mjeteve për komisionin hetimor, Kuvendi synon të mundësojë shqyrtimin e veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve që lidhen me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.








