Sot, Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopes, i dorëzoi ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), Dr. Valon Hyseni, mobilie dhe pajisje të dhuruara nga Misioni.
Ky donacion synon t’i përmirësojë kushtet në të cilat kryhen ekzaminimet mjekoligjore të mbijetuarve të dhunës seksuale në IML.
Ambientet, të cilat përfshijnë dy dhoma që shfrytëzohen për intervista dhe ekzaminime mjekoligjore, janë rinovuar për t’iu përgjigjur më mirë nevojave të mbijetuarve të dhunës seksuale, si të rriturve ashtu edhe fëmijëve.
Këto hapësira të përmirësuara parashihet ta mbështesin ofrimin e shërbimeve me të mbijetuarin në qendër, të ndjeshme ndaj aspektit gjinor dhe të përshtatura për nevojat e fëmijëve, në përputhje me parimet e Konventës së Stambollit dhe Konventës për të Drejtat e Fëmijës.
“Ekzaminimet mjekoligjore të mbijetuarve të dhunës seksuale, të cilët shpesh janë gra, por, siç tregojnë me keqardhje edhe statistikat, edhe fëmijë, veçanërisht vajza, kërkojnë kujdes të veçantë dhe një mjedis që e respekton dinjitetin, privatësinë dhe nevojat individuale të tyre”, tha Lopes. “Përmes kësaj mbështetjeje, EULEX-i synon t’i ndihmojë institucionet e Kosovës në fushën e sundimit të ligjit që të ofrojnë shërbime më të ndjeshme ndaj traumës, në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë ato të Konventës së Stambollit”, shtoi ai.
Rinovimi i këtyre hapësirave përbën një hap të përkohshëm drejt përmirësimit të mbështetjes për të mbijetuarit e dhunës seksuale. Një prioritet më afatgjatë mbetet krijimi i një qendre të qasshme për referimin e rasteve të dhunës seksuale, përmes së cilës të mbijetuarit mund të marrin ekzaminime mjekësore dhe mjekoligjore, mbështetje për përballimin e traumës, si dhe këshillim ligjor dhe psikologjik, ashtu siç kërkohet nga Konventa e Stambollit.
Duke e pranuar donacionin, Dr. Hyseni tha: “Kur të mbijetuarit e dhunës seksuale vijnë në IML, është përgjegjësia jonë që t’i trajtojmë me dinjitet dhe të sigurohemi që ekzaminimet mjekoligjore të kryhen në mënyrë profesionale, duke i kushtuar kujdes të duhur mirëqenies dhe konfidencialitetit të tyre. I jemi mirënjohës EULEX-it për mbështetjen e tij”.







