Dogana e Kosovës ka dalë me një njoftim për udhëtarët lidhur me mënyrën e trajtimit të pajisjeve elektronike të sjella nga jashtë vendit.
Sipas Doganës, pajisjet elektronike që importohen për përdorim personal trajtohen në bazë të rregullave që vlejnë për bagazhin personal dhe importet jo-tregtare.
Megjithatë, një pajisje e sjellë për përdorim personal nuk trajtohet në të njëjtën mënyrë si një sasi pajisjesh, e cila bazuar në natyrën, sasinë apo karakteristikat e mallrave, mund të tregojë se ato janë të destinuara për qëllime tregtare.
Dogana ka rikujtuar edhe kufijtë e lirimit të përgjithshëm për bagazhin e udhëtarëve:
300 euro – për udhëtarët në trafik rrugor;
430 euro – për udhëtarët në trafik ajror;
300 euro – për udhëtarët në trafik hekurudhor;
150 euro – për udhëtarët nën moshën 15 vjeç.
Në rastet kur nuk plotësohen kushtet për lirimin nga detyrimet doganore, apo kur mallrat konsiderohen të destinuara për qëllime tregtare, udhëtarët duhet të respektojnë procedurat doganore dhe të paguajnë detyrimet përkatëse.
Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se ky sqarim synon rritjen e transparencës dhe informimin e qytetarëve për rregullat që zbatohen gjatë hyrjes në Kosovë me mallra dhe pajisje elektronike.
Baza ligjore e këtij njoftimi është Kodi Nr. 08/L-247 Doganor dhe të Akcizave, përkatësisht nenet 392–394.







