Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përshëndetur ratifikimin e marrëveshjes për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes nga Kuvendi i Kosovës, duke e cilësuar këtë zhvillim si një moment historik për vendin.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Osmani ka deklaruar se ky vendim përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe në pozicionimin e saj përkrah shteteve që kontribuojnë për paqen globale.
“Kuvendi i Kosovës sot vulosi një moment historik duke ratifikuar marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes. Është një hap i madh që forcon subjektivitetin tonë ndërkombëtar dhe e vendos Republikën e Kosovës aty ku e meriton: krah për krah me Amerikën dhe në mesin e shteteve që kontribuojnë për paqen globale”, ka shkruar ajo.
Ajo ka theksuar gjithashtu rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në historinë e Kosovës, duke rikujtuar ndërhyrjen ushtarake të vitit 1999.
“Ishin Tomahawk-ët amerikanë që, në vitin 1999, çanë errësirën dhe ndalën makinerinë gjenocidale serbe mbi popullin tonë. Ishte Amerika ajo që qëndroi në anën e drejtësisë, kur ne kishim më shumë nevojë se kurrë për shpresë dhe shpëtim. Dhe është Amerika përsëri sot, ajo që qëndron përkrah nesh”, ka shtuar Osmani.
Në deklaratën e saj, ajo ka falënderuar SHBA-të dhe presidentin Donald Trump për mbështetjen dhe për ftesën që Kosova të jetë shtet themelues i Bordit të Paqes.
“Faleminderit SHBA-ve dhe Presidentit Trump për besimin dhe ftesën që të jemi shtet themelues i Bordit të Paqes. Zoti e bekoftë Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka përfunduar ajo.
Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë ratifikuar marrëveshjen ndërkombëtare për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, nismës së presidentit amerikan, Donald Trump, për zgjidhjen e konflikteve në botë.
Për marrëveshjen votuan 103 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Kosova dhe Shqipëria janë të vetmet shtete nga rajoni i Ballkanit Perëndimor që i janë bashkuar Bordit të Paqes, ndërsa nga vendet e BE-së, vetëm Hungaria dhe Bullgaria.
Ky mekanizëm është formuar me synimin që të mbikëqyrë zbatimin e planeve të paqes në zonat e konfliktit, me fokus fillestar në Rripin e Gazës dhe në rindërtimin e saj.
Bordi u themelua dhe do të udhëhiqet nga presidenti amerikan Donald Trump.







