Analisti Nexhmedin Spahiu ka komentuar zhvillimet politike në Serbi pas fitores së Listës Studentore, duke folur edhe për ndikimin që ndryshimet e mundshme politike në këtë shtet mund të kenë në raportet me Kosovën.
Spahiu ka vlerësuar se nëse Serbia udhëhiqet nga një klasë intelektuale dhe e pakorruptuar, kjo mund ta vështirësojë pozitën e Kosovës në raport me fqinjin verior.
“Serbia do të shkundet nga banditizmi, do të udhëhiqet nga një klasë intelektuale dhe e pakorruptuar. Kjo do të jetë më e vështirë për Kosovën. Lista Studentore, besoj se do të kërkojë kohë që të merret si fillim me punët e Serbisë e pastaj me Kosovën”, ka deklaruar Spahiu për emisionin “Infonata” në Tëvë1.
Tutje, Sapahiu ka thënë se nuk pret që një udhëheqje e re në Serbi të tentojë sulm ushtarak ndaj Kosovës.
“Pushteti i ri, nuk do të tentojnë që ta sulmojnë ushtarakisht Kosovën. Me Vuçiqin ka pasur rrezik, por në avancimin e çështjes së Kosovës, ne do ta kemi më problematike. Lista Studentore është arrë më e fortë për Albin Kurtin sesa që kishte punë me Aleksandar Vuçiqin”, ka thënë Spahiu.




