Analisti Nexhmedin Spahiu ka komentuar protestat e organizuara pas vrasjes së Arlinda Zekajt, duke thënë se përgjegjësia institucionale duhet të kërkohet fillimisht te kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhiri.
“Më e rëndësishme ishte të kërkohej dorëheqja e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxhiri. E ndjera Arlinda Zekaj i ka shkruar atij, por nuk ka marrë përgjigje. Nëse kërkohen shkarkime, duhet së pari kryetari i Pejës, pastaj ministrat Sveçla e Gërvalla. Shkarkimet bëhen që në të ardhmen të jenë të gjithë më vigjilentë”, ka deklaruar Spahiu pwr emisionin “Infonata” në Tëvë1.
Duke folur për protestat, ai ka thënë se ato po marrin edhe karakter politik.
“Protesta po merr konotacion anti-Albin, anti-Vetëvendosje”, ka deklaruar ai.
Spahiu ka komentuar edhe dorëheqjen e drejtorit të Policisë, Gazmend Hoxha, duke e cilësuar atë si akt përgjegjësie.
“Dorëheqja e drejtorit të Policisë, Gazmend Hoxha, tregon akt përgjegjësie. Ai do të fitojë më shumë respekt nga të gjithë. E përgëzoj për gjestin e bërë”, ka thënë Spahiu.




