Rrëfimi i Majlinda Kelmendit prek thellë botën e sportit dhe publikun. Kampionja olimpike, e cila sot udhëheq gjeneratën e re si trajnere e xhudos, në Konferencën e Pestë Shkencore Ndërkombëtare në Edukim Fizik, Sport dhe Shëndet, ka ndarë një prej kapitujve më të vështirë të karrierës së saj, një betejë e heshtur me lëndime të rënda, dhimbje të përditshme dhe sfida të rënduara psikologjike.
Në një dëshmi të rrallë, Kelmendi tregon se si “hernia diskale”, frika e humbjes së formës dhe pasiguritë e panikut i rrezikuan jo vetëm performancën, por mbarë karrierën. Ky është rrëfimi i një kampioneje që, edhe në momente të thyerjes fizike dhe emocionale, refuzoi të dorëzohej.
“Në momentin kur më kanë ardhur lëndimet ka qenë në vitin 2015 edhe prej momentit kur kam filluar të kem lëndime aspekti psikologjik ka qenë gjithmonë shumë i vështirë. Për një sportist, pjesa më e vështirë gjatë karrierës janë lëndimet, janë diçka që vijnë pa pritur edhe që nuk e din se si të sillesh, ndoshta ke ushtruar shumë mirë për një kampionat botëror edhe ndodh që katër apo pesë muaj para asaj gare vjen lëndimi dhe nuk di se si të sillesh…Në katër vitet e fundit gjatë karrierës mund të them që jam zgjuar prej gjumit me dhimbje, gjatë ditës kam pasur dhimbje dhe kur kam rënë për të fjetur kam pasur dhimbje. Kam pasur një lëndim shumë serioz në qafë, kam pasur ‘herni diskale’ që gati pothuajse ishte aty në limitet e saj për ta prekur boshtin kurrizor edhe anën e majtë e kam pasur në katër vitet e fundit të karrierës as 50 përqind. Dora ime e majtë ka qenë adut kurse arma ime e fortë në luftë. Kështu që në një far forme na është dashur të adoptohemi aspektit tim fizik që t’i përshtatem me stërvitje dhe ndoshta ta ndryshoj taktikën të luftës për shkak se dora ime e majtë më nuk ishte njëjtë. Kështu që krejt kjo periudhë e vështirë për shkak të lëndimeve që i kam pasur ka bërë që unë një vit e gjysmë para Lojërave Olimpike në Tokio të filloj të kem atack paniku dhe realisht nuk e kam ditur as se çfarë është. Thjeshtë ka ndodhur që ishim në gara edhe një natë para garave kemi qenë në Katar, në Doha, në masters edhe jam zgjuar natën, nuk mund të ngopesha me frymë, kam filluar të djersitem, të dridhem dhe nuk e dija as se çfarë është. Ishim në dhomë së bashku me Distria Krasniqin edhe ajo u zgjua ‘çfarë ke”, tha nuk e di, nuk jam mirë dhe ishim në katin e 50-y, më e keqja ishte se dritaret nuk hapeshin, thoja që të hyj në lift, lifti shumë i ngushtë, kisha frikë se mos po bëhet edhe me keq. Kështu që krejt rastësisht e kam kuptuar se çfarë problemi e kam edhe që ndoshta kjo është dashur të trajtohet por këtë e kam kuptuar pas përfundimit të Lojërave Olimpike në Tokio dhe nuk është fer që një sportist sikur unë ta mbyll karrierën ashtu siç e kam mbyllur unë”, rrëfeu Kelmendi.
Në karrierën e saj, Majlinda Kelemndi është shpallur Kampione olimpike – medalje ari në Lojërat Olimpike, Rio 2016, dy herë kampione bote në xhudo (52 kg), në 2013 dhe 2014, kampione Evropiane, shumë herë e fituar në garat e Evropës.











