Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci ka zhvilluar një takim me Sandra Oudkirk, zëvendësen civile të Komandantit dhe këshilltaren për Politikë të Jashtme të Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara (USEUCOM).
Përmes një njoftimi, Maqedonci ka bërë të ditur se gjatë takimit është diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe USEUCOM-it, si dhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të partneritetit në fushën e mbrojtjes.
Temë e diskutimit ishte edhe zhvillimi i ardhshëm i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe mundësitë e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes.
Maqedonci ka falënderuar zyrtaren amerikane për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Kosovën.
Ai ka theksuar se partneriteti me SHBA-në mbetet thelbësor për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit dhe garantimin e një të ardhmeje më të sigurt./teve1.info/







