Këshilli Prokurorial i Kosovës në takimin e jashtëzakonshëm, pas suspendimit të Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, në vend të saj ka caktuar prokuroren Valbona Disha – Haxhosaj.
Haxhosaj do të jetë ushtruese e detyrës së kryeprokurores në Pejë, raporton gazetarja e Klan Kosova, Altiana Zogaj.
Këto zhvillime erdhën pas vrasjes së Arlinda Zekajt dhe gjetjeve të raportit që janë paraqitur në kërkesën për fillim të hetimit disiplinor nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.
“Pas shqyrtimit të kërkesës së autoritetit kompetent (Kryeprokurorit të Shtetit), Këshilli Prokurorial i Kosovës, vendosi të themelojë panel hetimor për trajtimin e rastit, si dhe miratoi propozimin për suspendimin e të dy subjekteve të hetimit, ndaj të cilave kërkohet zhvillimi i procedurës disiplinore.Vendimet e Këshillit Prokurorial të Kosovës, janë marrë në bazë të të gjeturave nga raporti me numër reference A.Nr. 379/2026, e të paraqitura në kërkesën për fillim të hetimit disiplinor nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, që ndërlidhet me rastin e vrasjes së A. Z. Gjithashtu, Këshilli Prokurorial mori vendim që të caktojë për Ushtruese të Detyrës së Kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Pejë, znj. Valbona Disha-Haxhosaj. KPK mbetet i përkushtuar në ushtrimin e mandatit të tij ligjor, garantimin e llogaridhënies dhe forcimin e integritetit të sistemit prokurorial, duke siguruar që të gjitha procedurat të zhvillohen në përputhje me legjislacionin në fuqi”, shkruhet në njoftim.




