Një rojë pylli e Departamentit Regjional të Agjencisë Pyjore të Kosovës në Ferizaj është sulmuar fizikisht gjatë kryerjes së detyrës zyrtare në Komunën e Shtimes.
Sipas njoftimit të APK-së, rasti ka ndodhur më 18 shtator 2026, në një pyll në pronësi shtetërore, ku roja kishte intervenuar pas konstatimit të një rasti të dyshuar të prerjes së kundërligjshme të masës drusore.
Gjatë kontrollit në terren, roja ka hasur një person të dyshuar duke kryer prerje të kundërligjshme. Sipas APK-së, gjatë ndërmarrjes së veprimeve në kuadër të kompetencave zyrtare, ai është penguar dhe sulmuar fizikisht.
Si pasojë e sulmit, roja e pyllit ka pësuar lëndime të dukshme.
Rasti është raportuar menjëherë në Policinë e Kosovës, e cila ka intervenuar dhe ka marrë rastin në trajtim. Personi i dyshuar është identifikuar dhe është proceduar nga organet kompetente.
Ndërkohë, nga roja e pyllit është përpiluar edhe fletëparaqitje lidhur me dëmin e shkaktuar në pyll.
Sipas APK-së, ngjarja është dokumentuar edhe përmes fotografive, ku janë evidentuar dëmi në pyll, masa drusore e prerë, si dhe lëndimet e pësuara nga roja.
Rasti i dytë brenda një periudhe të shkurtër
Agjencia Pyjore e Kosovës ka bërë të ditur se ky është rasti i dytë brenda një periudhe të shkurtër në Regjionin e Ferizajt, ku rojet e pyllit janë sulmuar gjatë ushtrimit të detyrës.
Një rast i ngjashëm ishte regjistruar më herët edhe në Komunën e Ferizajt.
Departamenti Regjional i APK-së në Ferizaj ka dënuar çdo formë të pengimit dhe sulmit ndaj rojeve të pyllit gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.
“Sulmet ndaj zyrtarëve në terren nuk do ta ndalin angazhimin për mbrojtjen e pyjeve dhe parandalimin e prerjeve dhe transportit të kundërligjshëm të masës drusore”, thuhet në njoftimin e APK-së.
Departamenti ka njoftuar se do të vazhdojë me rritjen e prezencës në terren, patrullimet dhe kontrollet, si dhe me bashkëpunimin me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, me qëllim të parandalimit të dëmtimit dhe shfrytëzimit të kundërligjshëm të pyjeve.




