Studiuesja e marrëdhënieve ndërkombëtare, Adelina Hasani ka vlerësuar se nisma e re për Ligjin për Specialen mund të jetë pjesë e diplomacisë.
Ajo ka vlerësuar se një gjë e tillë mund t’i hap Kosovës diskutimet me Bashkimin Evropian dhe Këshillin e Evropës për anëtarësim në këtë organizatë.
“Me nismën e re ligjore, nëse është edhe pjesë e strategjisë shtetërore mundet me qenë edhe pjesë e diplomacisë, sepse nëse shkohet me një nismë të re ligjore mundet me u hap edhe dialogu me BE-në. Këshilli i Evropës mundet me kanë një derë që e hap dialogun, dhe Kosova mundet me hap dialogu me BE-në dhe Këshillin Evropian”, ka thënë ajo në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Java e ardhshme do të sjellë një draftligj të ri për Gjykatën Speciale. Krejt kjo pas dakordimit të sotëm mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
“Për këtë na duhet një ligj që nuk kthehet mbrapsht dhe bëhet praktik në realitet. Ne presim që javën e ardhshme grupi punues ta sjellë draftin e parë. Aty janë të angazhuar të gjithë dhe ne e presim strategjinë javën e ardhshme. Presim gjithashtu që ky ekip me ekspertë ta sjellë javën e ardhshme draftin e ri të ligjit për Dhomat e Specializuara”, u shpreh Kurti.
U.d e kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku tha se do të bëhen ndryshimet e nevojshme
“Mbi atë tekst do t’i bëjmë ndryshimet e nevojshme për ta bërë ligjin më të qëndrueshëm juridikisht dhe për t’u dhënë çlirimtarëve tanë mbështetje konkrete shtetërore. Me Kurtin jemi pajtuar për përmbajtjen e ligjit dhe për ndryshimet që duhet të bëhen. Dallimet kanë qenë te procedura parlamentare. Sot u pajtuam edhe për rrugën që do të ndjekim. Nismën e re ligjore do ta ndërmarrim menjëherë javën tjetër, me propozimet tona konkrete”, tha Çitaku.







