TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE
Reklamo në tëvë1.info
No Result
View All Result
TËVË 1 - Lexoje të vërtetën!
Reklamo

“Prisnim të na bënin si në Srebrenicë” – 27 vjet pas luftës, Idriz Jusufi rrëfen tmerrin e burgut të Smrekonicës

by teve1
44 minuta ago
0
A A
“Prisnim të na bënin si në Srebrenicë” – 27 vjet pas luftës, Idriz Jusufi rrëfen tmerrin e burgut të Smrekonicës

Idriz Jusufit i ishte dashur a largohet nga shtëpia e tij në Rekë të Mitrovicës, gjatë kohës së luftës së Kosovës.

2 maji i vitit 1992 e gjeti atë në Smrekonicë të Vushtrrisë.

Këtë ditë, forcat serbo jugosllave e përzunë atë nga shtëpia ku po rrinte si refugjat i zhvendosur i luftës, bashkë me gruan shtatzënë, djalin rreth një vit e gjysmë dhe të afërm tjerë.

Sapo doli jashtë, policët e ndanë me forcë atë nga familja, sic vepruan edhe me shumë shqiptarë tjerë që u zunë andejpari. Nuk e lanë as ta përqafojë djalin e tij për herë të fundit.

Bashkë me tjerët, e futën në burgun e Smrekonicës.

Këtu u mbajt deri më 22 maj, kur u liruan befasisht dhe u dërguan për në Shqipëri.

Momenti i mbërritjes së Idrizit në Kukës ishte kapur nga kamerat e agjencisë së lajmeve Associated Press. Këtu ai takoi një të afërm. Të dy kishin menduar për njëri-tjetrin se ishte vrarë nga serbët.

27 vjet më pas, KosovaPress e gjeti Idriz Jusufin në shtëpinë e tij në Rekë, ne c’rast ai ka pranuar ta tregojë rrëfimin e tij ekskluziv për ngjarjen e hidhur që kishte përjetuar gjatë majit 1999.

“Arrestimi ka ndodhur më 2 maj, më konkretisht më 2 maj të vitit 1999, në fshatin Smrekovnicë. Unë isha me bashkëshorten edhe me djalin. Ai i ka pas një vit e gjysmë. Edhe na përzunë nga shtëpitë deri na dërguan afër burgut, unë isha me djalë edhe me bashkëshorte, prindërit i kisha pak më larg. Edhe një polic bënte selektimin e të rinjve dhe i thërriste për me i dërguar në burg. Një prej tyre, për fat të keq, isha edhe unë. E kisha djalin para duarsh, bashkëshortja shtatzënë me fëmijën tjetër dhe më urdhëruan në mënyrë të prerë edhe shumë të egër: ‘Çohu, hajde’. Edhe nuk më lanë as me e dashtë fëmijën. Edhe u desh me ikë me vrap, siç thonë, edhe na çuan në rend derisa na dërguan brenda në burg. Edhe aty, atë natë ka qenë nata e tmerrit kur na kanë arrestuar. Në dhomën e pritjes së burgut të Smrekonicës, një dhomë jo e madhe, shumë e mbingarkuar, pa ujë, ishte vapë deri të nesërmen në mëngjes. Pastaj të nesërmen në mëngjes na i morën shënimet edhe na dërguan në pavijone. Edhe aty qëndruam deri më 22 maj. Mirëpo gjatë asaj kohe sa ishim aty, ka pasur tortura shumë të mëdha, prej më të ndryshmeve”, rrëfen Jusufi.

Jusufi thotë se ai dhe shqiptarët tjerë që u sollën në Burgun e Smrekonicës, por edhe tjerët që ishin aty më herët, u mbajtën në kushte çnjerëzore. Të gjithë, sipas tij, u përballën në baza ditore me rrahje, tortura dhe maltretime brutale nga policia dhe gardianët serbë.

“Gjatë kohës së qëndrimit në burg, domethënë prej 2 deri më 22 maj, kushtet kanë qenë mizore. Rrinim në një dhomë, diku ka qenë 4 me 4, 16 metra katrorë. Diku kemi qenë së paku 30 vetë, kemi fjetur aty. Nuk ka pasur shtretër, por në dysheme kemi fjetur. Shpesh them se u dashtë me fjetur sikur peshqit në konservë. Në atë krah që binim, në atë krah u qonin, se s’kishim mundësi me u rrotullu, sepse ishte aq ngushtë. Pastaj trajtimi nga ana e policisë dhe gardianëve, përveç dy gardianëve që kanë qenë – një shqiptar, Agroni, dhe një boshnjak, Safeti, – ka qenë shumë i keq. Ata dy kanë pasur sjellje shumë më të mira, por të tjerët kanë pasur sjellje shumë arrogante. Gjatë kohës kur shkonim për drekë dhe darkë, policët shumë shpesh i maltretonin të burgosurit. Gjatë rrugës prej pavijonit deri në kuzhinë, që ishte diku 20 metra larg, i nxirrnin prej rreshtit dhe i rrihnin në mënyrë barbare. Kush e kishte fatin e keq me u marrë prej rreshtit, e maltretonin deri në alivanosje. Ka pasur raste kur e kanë detyruar babën me djalë me u rrah mes vete. Prej forcës së tyre, u dashtë baba me djalë me u grushtuar. Pastaj gjatë marrjeve në pyetje disa persona i kanë marrë katër-pesë herë, ndoshta edhe më shumë. Disa i dërgonin në Mitrovicë, në shkollën teknike. Ata që i çonin atje e kanë parë vdekjen me sy prej maltretimeve. Paramendo deri ku ka shkuar mizoria e tyre: policët i merrnin edhe fëmijët e tyre të vegjël dhe i detyronin me i rrah shqiptarët. Aq të pashpirt kanë qenë, sa edhe fëmijën e vogël e mësonin si me i rrah shqiptarët”, tha Jusufi.

Ndaj të burgosurve në Smrekonicë nuk bëhej vetëm dhunë fizike. Mbi ta ushtrohej dhe presion i madh psikologjik, Sidomos gjatë marrjes në pyetje.

“Kam pasur fatin e mirë, po them, prej rreshtit nuk më kanë nxjerrë kurrë. Gjatë ushqimit, zakonisht për drekë na jepnin ushqim të nxehtë, mirëpo shpeshherë ka ndodhur që vetëm sa jemi ulur dhe ende pa e provuar ushqimin, na thoshin: ‘Çohu se u kry’. Për veti, mua më kanë marrë në pyetje tri herë. Hera e parë dhe e dytë kanë qenë pak më të buta, mirëpo herën e tretë kanë qenë pak më të ashpër. U prezantuan dy inspektorë nga Beogradi. Thanë se janë nga Beogradi dhe filluan pyetjet psikologjike. Në fillim mundoheshin në njëfarë forme kinse me të mirë: për kë ke punuar, unë përndryshe e kam pasur dyqanin edhe para luftës dhe kam punuar, kush të ka thënë me i përcjellë automjetet e policisë e të ushtrisë, me kë ke bashkëpunuar, sa pare ia ke dhënë UÇK-së e shumë pyetje të tjera. Mirëpo aty është dashur mos me pranu kurrgjë, edhe pse ishim një prej kontribuuesve financiarë për UÇK-në. Atëherë kur e panë që nuk po shkon me të mirë, filluan torturat. Ka pasur rrahje, grushtime dhe gjithçka tjetër që dinin ata. Mirëpo prej tyre mirë nuk pritet”, tregoi ai.

Pakkush nga të burgosurit kishte besuar se nga Smrekonica do të dilte i gjallë. Idrizi thotë se të gjithë kishin frikë se ata do të ekzekutoheshin në mënyrë masive.

“Pasi e kryem mëngjesin, e pamë nga dritaret e një pavijoni tjetër disa të moshuar që po i lironin. Edhe thamë: ‘Ku po i dërgojnë?’. Shtohej pyetja a po i dërgojnë nëpër shtëpi apo në pushkatim. Me thanë të drejtën, nuk e besoj që ka pasur të burgosur aty që ka besuar se do të na lirojnë. Të gjithë kemi menduar se vetëm po e prisnin momentin me na grumbulluar sikur në Srebrenicë dhe me na pushkatuar të gjithëve. Nuk vonoi shumë dhe filluan me na thirr edhe neve. Erdhën policët te dera e pavijonit dhe thanë: ‘Ai që e thërrasim, le t’i marrë teshat’. Një dokument na e kanë lëshuar për kundërrevolucion, kundër shtetit, ato nenet e tyre, nuk e di qysh quheshin. Thanë mbajeni në dorë dhe te hyrja dorëzojeni. Kur dolëm dhe u rreshtuam, oborri i burgut ishte i mbushur me policë. Nuk shihje asgjë tjetër përveç policëve dhe autobusëve. Na i morën dokumentet dhe na futën në autobusë. Atë ditë nuk e dinim ku po shkonim, a po na dërgonin në pushkatim, nëpër burgjet e Serbisë apo, siç flitej më shumë, te ‘muri i gjallë’ në kufi mes UÇK-së dhe forcave serbe”, tha Jusufi.

Teksa të burgosurit po transferoheshin rrugës nëpër të cilin ata nuk e dinin se ku po shkonin, u ra hise të përballen edhe me grupe të armatosura të paramilitarëve serbë. Për fat të mirë, me ta nuk patën probleme.

“Në Lipjan na ka ndalur një polici tjetër. Ishte një grup paramilitarësh që vetëm po t’i shikoje, siç ishin të armatosur, me tatuazhe, me mjekra e gjithçka tjetër, të frikësonin. Ata tentuan me hyp në autobus, mirëpo polici zyrtar që ishte në autobus nuk i lejoi. I tha: ‘E kam urdhrin prej Ministrisë së Punëve të Brendshme’, edhe ia tregoi dokumentin, nuk ua hapi derën. Është për çudi. Pastaj kaluam dhe deri në Zhur nuk kemi pasur probleme. Në Zhur autobusi u ndal, u afruan dy policë dhe njëri prej tyre tha: ‘Dëgjoni mirë, prej këtu deri në kufirin shtetëror me Shqipërinë janë pesë kilometra. Duhet të shkoni dy nga dy në rresht. Ai që e lëshon rrugën, e dini çka e pret’. Pastaj dolëm nga autobusi dhe ecëm pesë kilometra në këmbë deri te kufiri”, tha Jusufi.

Kalimi i kufirit dh futja në Shqipëri ishte njëfarë lehtësimi, por edhe një fazë e re e pasigurisë, për secilin të burgosur. Tashti, brenga e tyre ishte se ku janë, ose a janë gjallë familjarët e tyre.

“Pasi që kaluam në territorin e Shqipërisë, autoritetet shqiptare përmes UNICEF-it na dhanë ujë, ushqim të thatë dhe nga një batanije. Pastaj na thanë hipni në autobusë për me ju dërguar në Kukës, në pikën e grumbullimit ku ishte. Gjatë atij udhëtimi prej kufirit deri në Kukës isha me djalin e mixhës afër, Tafil Jusufin e ndjerë. Unë i kisha fshehur 100 marka në jakne, ia kërkova ato para dhe bleu cigare. E ndezi në autobus dhe nuk po mundej me u përmbajt, filloi të qaj prej mërzisë. Unë i thashë: ‘Mos u mërzit, se familjarët duhet me qenë në Shqipëri’. Paramendo kur e sheh një burrë duke qajtur edhe unë u preka shumë. Kur mbërritëm në Kukës, zbritëm nga autobusi dhe ishte një shator i madh pritës, kush ka qenë atje e din. Gjatë rrugës e pashë edhe një shator të vogël ku shkruante ‘informacion’. Shkuam në shatorin e madh, na dhanë bukë dhe ujë, por unë nuk hëngra shumë, sepse ishim shumë të uritur dhe kisha frikë mos po më rëndon ushqimi. I thashë djalit të mixhës: ‘Po shkoj pak te informacioni dhe kthehem’. Ai më tha: ‘Mos u ndajmë. Shkova te shatori i informacionit dhe iu afrova tavolinës. Aty po lexoheshin emrat e familjarëve që kishin kaluar kufirin më 13-14 maj. E pyeta a mund të kthehej lista prej 2 majit dhe me më tregu për familjarët me mbiemrin Jusufi. Para se me shku aty takova një shok të klasës në shkollën fillore, Avdyl Hamitin nga Kutlloci. E pyeta a ka parë dikë nga familja ime dhe më tha jo. U përshëndetëm dhe u ktheva prapë te informacioni. Duke i lexuar emrat aty, fillova me i gjet disa familjarë. Pastaj më thirri shoku i klasës: ‘O Idriz!’. Kur e ktheva kokën më tha: ‘A e pe Falukun?’. I thashë jo, ku është? Më tregoi dhe aty e gjeta një pjesë të familjes. Dolëm prej shatorit dhe u takova me djalin e mixhës Fahriun. Ka qenë një moment mallëngjyes, që nuk mundet me u përshkru prej askujt. Një moment kur beson që je kthyer prej vdekjes. Nuk kam besuar kurrë se do t’i shoh më familjarët dhe se do të dalim gjallë prej burgut”, tha ai.

Familjen e tij të afërt ai do ta takontë pak më vonë. Ky moment ka mbetur i pashlyeshëm në kujtesën e Idriz Jusufit, për gjithë jetën.

“Kur kam ardhur në kamp, gruan e kam pasur shtatzënë me djalin e dytë, djali i madh ka qenë një vjet e gjysmë, pak më shumë se një vjet e gjysmë. Unë siç dukesha atëherë, pa rru, pa u pastruar, si në kushte të burgut, u mundova ta përqafoj djalin, por nuk më vinte, më kishte harruar. Edhe i thotë bashkëshortja: ‘Hajde djali jem se babi është’. Njëfarë forme e mora me forcë me e dashtë. Pastaj nana, baba, bashkëshortja… gëzim i papërshkrueshëm. Ata kishin qenë të bindur se nuk do të dilnim të gjallë. Ato momente, po them, nuk i harroj kurrë në jetë”, përfundon ai.

ShareTweet

Postime të ngjashme

AFA: Vizita e kongresistëve dëshmi e mbështetjes së fortë për shqiptarët

AFA: Vizita e kongresistëve dëshmi e mbështetjes së fortë për shqiptarët

Gërvalla: Vdekja e Hafiz Gagicës, humbje e madhe për Kosovën dhe mërgatën

Gërvalla: Vdekja e Hafiz Gagicës, humbje e madhe për Kosovën dhe mërgatën

​Abdixhiku: Vlerat që na i mëson festa e Kurban Bajramit, të jenë pjesë e sjelljes çdo ditë

​Abdixhiku: Vlerat që na i mëson festa e Kurban Bajramit, të jenë pjesë e sjelljes çdo ditë

Haxhiu priti në takim kongresistët amerikanë

Haxhiu priti në takim kongresistët amerikanë

Begaj nga Meka uron besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit

Begaj nga Meka uron besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit

Kreu i ri i krahut ushtarak të Hamasit vritet në sulmin ndaj Gazës, thotë Izraeli

Kreu i ri i krahut ushtarak të Hamasit vritet në sulmin ndaj Gazës, thotë Izraeli

AFA: Vizita e kongresistëve dëshmi e mbështetjes së fortë për shqiptarët

AFA: Vizita e kongresistëve dëshmi e mbështetjes së fortë për shqiptarët

“Prisnim të na bënin si në Srebrenicë” – 27 vjet pas luftës, Idriz Jusufi rrëfen tmerrin e burgut të Smrekonicës

“Prisnim të na bënin si në Srebrenicë” – 27 vjet pas luftës, Idriz Jusufi rrëfen tmerrin e burgut të Smrekonicës

Gërvalla: Vdekja e Hafiz Gagicës, humbje e madhe për Kosovën dhe mërgatën

Gërvalla: Vdekja e Hafiz Gagicës, humbje e madhe për Kosovën dhe mërgatën

Emisioni “Mesditë” 27.05.2026

Emisioni “Mesditë” 27.05.2026

​Abdixhiku: Vlerat që na i mëson festa e Kurban Bajramit, të jenë pjesë e sjelljes çdo ditë

​Abdixhiku: Vlerat që na i mëson festa e Kurban Bajramit, të jenë pjesë e sjelljes çdo ditë

Facebook Youtube Instagram TikTok

TËVË 1

Ky portal mirëmbahet nga televizioni “Tëvë1”. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të “Tëvë1”. Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t’i pranoni kushtet e përdorimit.
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

Social Media

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In

Add New Playlist

No Result
View All Result
  • LAJMET
  • RAJONI/BOTA
  • SPORT
  • SHËNDETËSI
  • LIFE STYLE
  • TEKNOLOGJI
  • OPINIONE

© 2022 - 2026 TËVË 1 - lexoje tëvërtetën