Është ndaluar për 48 orë një person në Prishtinë nën dyshimin se përmes fakteve të rreme, ka mashtruar shtetas norvegjezë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.
Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, pas sigurimit të të dhënave bankare të të dëmtuarve, ai dyshohet se i ka përdorur ato për të kryer porosi online në dyqane të ndryshme, kryesisht për pajisje elektronike, duke u shkaktuar të dëmtuarve dëm të konsiderueshëm material.
“Gjatë zbatimit të urdhrit për kontroll, janë sekuestruar pajisje të ndryshme elektronike, përkatësisht shtatë telefona celular, dy kompjutera, dy USB, një veturë si dhe dokumente të ndryshme, të cilat do të shërbejnë si prova matriale në kuadër të procedurës penale”, thuhet në komunikatë.
Rasti është hetuar në bashkëpunim mes Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike./teve1.info/








