Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka bërë thirrje për protestë gjithëkombëtare të shtunën, në orën 12:00, me kërkesë për drejtësi për Arlinda Zekajn dhe përgjegjësi institucionale për rastet e vrasjes së grave në Kosovë.
Në njoftimin e tyre, organizatorët kanë theksuar se rasti i Arlinda Zekajt ka nxjerrë në pah dështimet institucionale në trajtimin dhe mbrojtjen e grave që kërkojnë ndihmë, duke kërkuar që institucionet përgjegjëse të japin llogari.
Përmes kësaj proteste, Kolektivi kërkon që femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare dhe të ndërmerren masa konkrete për parandalimin e vrasjeve të grave.
“Arlinda Zekaj na e ka lënë amanet që të kërkojmë përgjegjësi, e këtë amanet ne po e zgjasim jo veç për Arlindën dhe çdo grua të vrarë por edhe për çdo vajzë e grua të gjallë. Patriarkisë shtetërore Arlinda ia ka lëkundë themelet, tani është e jona që këtë ta çojmë deri në fund, për t’i dhënë fund njëherë e mirë dhunës së shumëfishtë ndaj vajzave e grave në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Ndër kërkesat e organizatorëve janë shkarkimi dhe ndjekja penale e zyrtarëve që ata i konsiderojnë përgjegjës për rastin e Arlindës.
Në listën e tyre përfshihen përfaqësues të prokurorisë, gjykatës, Qendrës për Punë Sociale dhe Policisë.
Po ashtu, kërkohet shkarkimi i Donika Gërvallës dhe Xhelal Sveçlës, dorëheqja e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, sigurimi i banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje, veting i pavarur dhe jopartiak në sistemin e drejtësisë, si dhe legalizimi i sprejit për vetëmbrojtje për gratë.
Kolektivi ka bërë të ditur se kërkimi i drejtësisë për Arlinda Zekajn është pjesë e një angazhimi më të gjerë për sigurinë dhe mbrojtjen e të gjitha grave dhe vajzave në Kosovë.
“Në rrugë e sheshe, për sigurinë e çdo vajze e gruaje në Kosovë”, theksohet në fund të njoftimit./teve1.info./







