Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në gjashtë objekte ndërtimore në Kosovë, pas konstatimit të parregullsive në zbatimin e masave për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Sipas njoftimit të Inspektoratit, parregullsitë janë evidentuar gjatë inspektimeve në terren në komunat e Prishtinës, Fushë Kosovës, Lipjanit, Gjilanit, Skenderajt dhe Ferizajt.
Si rezultat i këtyre gjetjeve, janë marrë vendime për ndalimin e punimeve deri në eliminimin e parregullsive dhe përmbushjen e kërkesave ligjore për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Inspektorati Qendror i Punës u ka bërë thirrje të gjithë punëdhënësve që të zbatojnë me përpikëri masat e sigurisë në vendet e punës./teve1.info/







