Zëvendëskryesuesja e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Aida Ferati-Doli, ka kërkuar nga kryetari i kësaj komune, Milan Radojeviq, që të shqyrtohet propozimi për emërimin e nënkryetarit për komunitete, pozitë që sipas saj i takon komunitetit shqiptar.
Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal, Ferati-Doli ka thënë se kjo pozitë është e përcaktuar me ligj dhe Kushtetutë, ndërsa ka paralajmëruar se nëse çështja nuk zgjidhet, mund ta dërgojë rastin në Gjykatën Kushtetuese.
“Kemi kërkuar nga ju të na thirrni dhe të diskutojmë propozimin për nënkryetar për komunitete, i cili i takon komunitetit që përbën 10 për qind të popullatës, që është komuniteti shqiptar”, ka deklaruar ajo.
Ajo ka thënë se ka pritur që çështja të trajtohet, por se nuk mund të presë pafundësisht.
Nga ana tjetër, kryetari Milan Radojeviq ka mohuar se ndaj komunitetit shqiptar ka qëndrim diskriminues, duke thënë se komuna punon me të gjithë qytetarët.
“Dua t’ju njoftoj se në këtë komunë, siç e dini, punojnë shumë shqiptarë, të mos them shumicë absolute, dhe se serbët mund të numërohen në gishta, ekskluzivisht të njërës dorë”, ka thënë Radojeviq.
Ai ka shtuar se çështja e nënkryetarit për komunitete do të zgjidhet në përputhje me ligjin në fuqi.
Ndërkohë, asamblisti i PDK-së, Emir Azemi, ka kërkuar respektimin e komuniteteve dhe gjetjen e një mirëkuptimi ndërmjet tyre.
“Demokracia moderne matet me atë se sa respektohet komuniteti pakicë”, ka deklaruar Azemi, duke bërë thirrje për gjetjen e një “mesi” në raportet mes komunitetit serb, shqiptar, boshnjak dhe komuniteteve të tjera.
Në të njëjtën seancë, me shumicë votash janë miratuar edhe dy propozime, ai për ndryshimin e vendimit lidhur me heqjen e shenjës “I Love Mitrovica” dhe propozimi për harmonizimin e pagave sipas programeve dhe nënprogrameve.







