Një skemë e dyshuar mashtrimi ndaj familjeve të prekura nga tërmeti i vitit 2019 në Fushë-Krujë është zbuluar nga Policia e Tiranës, ndërsa një 45-vjeçare ka përfunduar në pranga.
Siç raporton A2CNN, bëhet fjalë për Ina Cakajn, e cila dyshohet se kishte ngritur një skemë për përfitim parash, duke u prezantuar si punonjëse e administratës shtetërore.
Sipas hetimeve, ajo u premtonte familjeve të dëmtuara nga tërmeti se do të ndërhynte për t’u siguruar dëmshpërblime apo banesa të reja, kundrejt pagesave që shkonin nga 1 mijë deri në 10 mijë euro.
Deri në këtë fazë të hetimit dyshohet se janë mashtruar rreth 30 persona, ndërsa dëmi financiar llogaritet në afro 60 milionë lekë të vjetra.
Dyshohet se viktimat i besonin 45-vjeçares për shkak të pretendimit se kishte lidhje dhe ndikim në institucionet shtetërore dhe mund të ndërhynte për përfitimin e kompensimeve pas tërmetit.
Gjatë kontrolleve dhe veprimeve hetimore, policia ka sekuestruar edhe dokumente dhe certifikata familjare në emër të personave të dyshuar të dëmtuar, të cilat po verifikohen për mënyrën se si janë përdorur.
Ndaj Ina Cakajt rëndojnë akuzat për “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”.










