Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona të përfshirë në disa raste të vjedhjeve.
Operacioni është zhvilluar nga Njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor Fushë –Kosovë, pas zhvillimeve disa mujore.
Policia ka njoftuar se të dyshuarit kishin kryer vjedhje në lokale afariste, përfshirë fabrika dhe depo, ku kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe financiare. Sipas deklarimeve të viktimave, vlera e dëmit të shkaktuar arrin rreth 200 mijë euro.
“Në kuadër të hetimeve, në bashkëpunim me Hetimet Rajonale dhe njësitë e specializuara të DPP-së, me urdhëresë të Gjykatës kompetente janë zbatuar masa të veçanta hetimore më 26.11.2026, është realizuar Planin Operativ “Vjedhjet e Rënda”, me ç’rast, me urdhëresë verbale të Gjykatës kompetente, janë kryer kontrolle në pesë (5) lokacione të ndryshme. Gjatë kontrolleve janë gjetur dhe sekuestruar, -një armë zjarri -telefona celularë si dhe prova materiale që ndërlidhen me rastet nën hetim”, thuhet në komunikatë.
Personat e dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkohë që po kryhen veprimet e mëtejme hetimore dhe procedurale në koordinim me Prokurorinë kompetente.




