E ndërtuan vet fletë pas flete.
Kështu emblema e UÇK-së dhe flamuri kombëtar morën formë nga duart e tyre.
Edhe emocionet i kishin të forta si në ditën e parë.
Janë pikërisht këta nxënësit e shkollës “Muharrem Shemsedini”, në Fshatin e Vjetër të Ferizajt që kontribuon në këtë projekt për nder të 28 nëntorit.
Ideja për këtë projekt ishte e arsimtarit të artit, Lulzim Asllani, i cili thotë se këtë herë vendosën që festës së 28 Nëntorit t’i japin dimension tjetër.
“Kemi vendosur ta ndryshojmë festimin e 28 Nëntorit, t’i japim pak jehonë emblemës së UÇK-së, ku fal saj sot e gëzojmë lirinë. Ne e kemi filluar një herë si skicë dhe kemi kërkuar përkrahjen e atë e kemi gjet nga drejtori i shkollës Gazmend Fazliu, se ka qenë pak e shpenzueshme janë mbi 16 mijë flet të formatit A5 dhe kemi planifikuar që secila fletë të paraqesë sakrificën e çdo ushtari që ka kontribuar në lirinë që sot e gëzojmë”, thotë Lulzim Asllani-arsimtar.
Asllani thotë se një tjetër motiv për realizimin e kësaj vepre ishte edhe situata e ish-krerëve të UÇK-së.
“Këtë e kemi realizuar duke e ditë situatën e fundit që ju ka bërë e padrejtë krerëve të UÇK-së që kanë qenë kryesorët në UÇK dhe sot padrejtësisht këta nuk e gëzojnë lirinë”, thotë ai.
Idenë e arsimtarit e përkrahën edhe nxënësit, të cilët u angazhuan në realizimin e këtij projekti.
“Ka qenë ide shumë e mirë. Pavarësisht që ka qenë një detyrë jo shumë e lehtë, ne e kemi bërë më të mirën tonë”, shprehet Kaon Murati-nxënës.
Edhe nxënësja Lea Murati thotë se e mirëpriti menjëherë idenë e arsimtarit dhe iu bashkua projektit.
“Kur na ka tregu arsimtari që kemi më bë një projekt të tillë për 28 Nëntorin më ka pëlqyer shumë edhe kam ardh pa hezitim, me kënaqësi edhe vullnet e kemi kryer këtë punë”, thotë ai.
Ndërsa pjesë e këtij angazhimi ishte edhe nxënësi Dielli Aliu.
“Është shkolla pothuajse e vetme në krejt Kosovën që e ka bërë këtë projekt madhështor”, shprehet ky nxënës.
Për disa nga nxënësit, përfshirja në këtë projekt kishte edhe arsye familjare.
“Mua më ka shty këtu më ardh dashuria që e kam për UÇK-në edhe kam familjarë të vrarë në UÇK, të cilët janë Sadush Nebihu dhe Haxhere Nebihu. Jemi të dëmtuar nga forcat serbe, i kemi shtëpitë e djegura”, thotë Enar Nebihu”, nxënës.
Ndonëse puna ishte sfiduese, e përfunduan me vullnet të madh.
“Na ka marrë kohë pesë ditë, kemi përdorur më shumë se 16 mijë fleta, u kanë pak e vështirë, por ne secilën flet e kemi vendosur me vullnet”, shprehet Erin Aliu-nxënës.
28 Nëntori, përveç Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, shënon edhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen publike të UÇK-së.






