Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian në raport me Kosovën.
Duke folur për mundësinë e marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, ai ka thënë se në Bruksel ka burokrat që ndaj Kosovës kanë qëndrim si të kohës së luftës së ftohtë.
Qorrolli në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, ka thënë se kjo qasje duhet të ndryshojë, duke theksuar se Kosova e meriton të ecë përpara drejt integrimit.
“Nëse e pyet një burokrat klasik të Brukselit i cili vije prej një shteti mosnjohjes, do të thoshte se shteti im nuk e njeh dhe nuk besojmë që Kosova pa e normalizuar raportin me Serbinë ose pa njofto njëra tjetrën, kësi broçkulla të cilat janë krejtësisht klasicizmi të luftës së ftohtë. Fatkeqësisht ka disa qëndrime në Bruksel të cilat i ngjajnë kohës së luftës së ftohtë. Nuk po përmendi emra kush i thotë ato, por burokracia e Brukselit ka qëndrime në raport me Kosovën si të kohës së luftës së ftohtë dhe këto duhet mu ndryshua. BE duhet të jetë shumë më shumë altruist në raport me Kosovën për t’i dhënë atë çfarë i takon”, ka thënë Qorrolli.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në Samitin ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, të mbajtur të mërkurën në Bruksel, sikurse edhe në takime tjera me zyrtarë të vendeve të BE-së ka përsëritur kërkesën që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat.




