Gjykimi ndaj Ilir Abdullahut i njohur si “Liza” dhe Rrahim Abdullahut si “Rrumqi”, po e merr epilogun.
Të premten u thanë fjalët përfundimtare të procesit gjyqësor, që janë bërë afër dy dekada qysh kur ka nisur.
Kjo për shkak se deri në vitin 2023, Liza ishte në arrati dhe kërkohej për bashkëkryerjen e vrasjes së ish-policit, Triumf Riza verën e vitit 2007.
Para trupit gjykues, ai tha se kërkon vetëm drejtësi, pasi është i pafajshëm për të gjitha akuzat.
“Iu kisha lut të merrni një vendim sipas provave dhe sipas drejtësisë dhe të hidhet një dritë në drejtësi dhe iu kisha lutë mos u ndikoni nga mediat apo politika”, tha i akuzuari Ilir Abdullahu.
Edhe i akuzuari tjetër që është në liri, kërkon që të shpallet i pafajshëm pasi thotë se nuk është fajtor.
“Sa i përket pafajësisë më fajtor jeni ju që po më akuzoni tash si pjesëmarrës në këtë rast që keni marrë dhe në këtë shqyrtim gjyqësor e keni parë se sen s’bëhet llaf për neve e këto mesazhe i keni parë çfarë kohe janë çu jo sipas aktakuzës…. Unë jam i pafajshëm shpirtërisht, ju çfarë vendosni është punë e juaja, nuk kërkoj mëshirë, kërkoj drejtësi”, deklaroi Rrahim Abdullahu.
Por sipas Prokurorisë Speciale, gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar pjesëmarrja e tyre në vrasjen e Rizës.
“Kronologjia e veprimeve dhe sidomos data 30.08.2007 si edhe SMS-at e përcjella pas vrasjes së Triumf Rizës dhe SMS-at e shkëmbyera në muajin shtator 2007 të gjitha përputhen dhe kanë lidhshmëri të plotë me provat materiale si edhe me dëshminë e dëshmitarëve të cilët janë dëgjuar në këtë proces gjyqësor”, tha prokurorja speciale, Arbreshë Shala.
“Përgjegjësia penale e Ilir Abdullahut dhe Rrahim Abdullahut i referohet gjendjes së tyre mendore, pra dashjes, dëshirës për tu kryer vrasja e Triumf Rizës ndërsa veprimet e kryerjes lidhen me pjesëmarrjen dhe bashkëveprimin e tyre siç janë përcjellja e viktimës hap pas hapi, vëzhgimi i viktimës, komunikimet mes vete për të treguar vendodhjen e viktimës si edhe të gjitha SMS-të që janë përcjellë dhe shkëmbyer mes të dy të akuzuarve”, shtoi Shala.
Por, sipas mbrojtjes së “Lizës” i gjithë procesi ka pasur shkelje ligjore, pasi është shoqëruar me konflikt të madh interesi.
“Prokuroria është dashur ta kryente këtë hetim vetë, pa u mbështetur te Policia, të cilët ishin të ngarkuar emocionalisht, thellësisht të anshëm dhe të motivuar nga hakmarrja. Kjo anshmëri dhe ky motiv nuk është supozim, por një fakt i hidhur historik. Hetuesit e këtij rasti dhe pjesëtarët e njësisë speciale, të cilët janë ftuar si dëshmitarë, nuk vepruan si zbatues të ligjit. Këta individë gjenden në vuajtjen e dënimit për tri vrasje të rënda. Ata vranë dhe plagosën njerëz të pafajshëm”, theksoi Ramë Dreshaj, avokat i “Lizës”.
Edhe mbrojtja e të akuzuarit tjetër, vlerëson se nuk është provuar fajësia e klientit të saj.
“Mbrojtja nuk e konteston faktin se ka ndodhur vrasja e Triumf Rizës, por çfarë roli ka pasur i mbrojturi im në këtë ngjarje. Për të cilësuar një person në ‘bashkëkryerje’, nuk mjafton që ai të ketë njohur të jetë shoqëruar apo të ketë komunikuar me persona tjerë, por duhet të provohet pjesëmarrja konkrete dhe lidhja e saj në këtë çështje. Këtu shtrohet pyetja: Ku është marrëveshja që është bërë mes të mbrojturit tim dhe Arbenit? Çfarë roli ka pasur në këtë çështje dhe si dëshmohet përcjellja e viktimës?”, pohoi Agnesa Salihu.
Në dhjetor të 2015-ës, Rrahim Abdullahu ishte dënuar me 4 vjet e 11 muaj burgim, por që Apeli kishte kthyer në rigjykim rastin.
Ndërkaq, nga shkurti i vitit 2025 është bashkuar lënda ndaj tij dhe “Lizës”, pasi ky i fundit ishte në arrati deri në vitin 2023.






