Janë bashkë të akuzuar, për vrasjen e kushëririt të tyre, Salih Salihu, në Dumnicë të Podujevës.
Dy vëllezërit, Besnik dhe Ilaz Salihu, po gjykohen për herë të dytë për kryerjen e vrasjes dhe fshehjen e provave më 26 shtator 2023.
Edhe në rigjykim, vëllezërit kishin mohuar fajësinë.
Të premten, u mbajt seanca e fundit për këtë rigjykim, ku palët thanë fjalët e tyre përfundimtare.
Mbrojtja e Besnik Salihut i qëndroi fjalëve përfundimtare, që ishin thënë më herët, se prokuroria nuk e ka vërtetuar fajësinë e tij.
Ndërkaq, mbrojtja e Ilaz Salihut, pati disa fjalë.
“Edhe pas përfundimit të dy veprimeve që kanë dalë nga aktvendimi i Gjykatës së Apelit dhe rikonstruimit të pjesërishëm të vendit të ngjarjes dhe marrjen në pyetje të dy dëshmitarëve, nuk u vërtetua se i mbrojturi im, Ilaz Salihu, i ka premtuar kujtdo qoftë se do të ndihmojë në fshehjen e provave të kryerjes së veprës penale”, tha Bedri Abdullahu, avokat i Ilaz Salihut.
Kështu që, ai kërkoi nga trupi gjykues, që Ilaz Salihu të shpallet i pafajëshëm.
“Nuk u vërtetua me asnjë provë se i njëjti në cfarëdo forme e ka këshilluar Besnik Salihun dhe këdo tjetër që të asgjësojë rroba dhe të fshehë mjetet e përdoruara, armët e kryerjes së veprës penale dhe në këto rrethana, kërkojmë nga gjykata që ndaj të njëtit prapë të nxjerrë aktgjykim lirues dhe të njëtin ta shpallë të pafajshëm”, shtoi Bedri Avdullahu.
Më këtë rast, përfundoi edhe ky gjykim.
“Trupi gjykues shpallë të përfunduar shqyrtimin gjyqësor dhe tërhiqet për këshillim dhe votim”, theksoi Alban Ajvazi, kryetar trupit gjykues.
Në vendimin e shkurtit të këtij viti, Ilaz Salihu ishte liruar nga akuza për “dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale vrasje”.
Kurse, Besnik Salihu ishte dënuar me 25 vite burgim.
Mirëpo, ky vendim i Themelores, nuk e kaloi pragun e Gjykatës së Apelit, e cila lëndën e ktheu në rigjykim.



