Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka njoftuar se sot në Klinikën e Obstetrikës dhe Gjinekologjisë, është realizuar me sukses lindja e parë e një pacienteje 31 vjeçare, e cila kishte arritur shtatzëninë përmes procedurave të fertilizimit të asistuar (IVF) në sektorin publik shëndetësor në Kosovë.
QKUK ka theksuar se ky rast shënon një moment të veçantë dhe një arritje të rëndësishme për shëndetësinë publike në vend, duke dëshmuar përkushtimin, profesionalizmin dhe angazhimin e vazhdueshëm të stafit shëndetësor të QKUK-së.
Njëkohësisht, sipas QKUK-së ky sukses përfaqëson një shpresë të re për shumë çifte që përballen me sfidën e infertilitetit, duke dëshmuar se edhe në Kosovë po krijohen mundësi konkrete për realizimin e ëndrrës së prindërimit.
“Ky sukses është dëshmi e rëndësishme e avancimit të shërbimeve shëndetësore publike dhe një hap përpara në funksion të shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve tanë”, thuhet në njoftimin e QKUK-së./teve1.info/







