Jusuf Buxhovi ka kritikuar klasën politike në Kosovë për mënyrën se si e ka trajtuar procesin e shtetndërtimit, duke thënë se përgjegjësia për stabilizimin e shtetit nuk u shndërrua në një përgjegjësi të përbashkët politike.
Historiani shqiptar ka thënë se në diskursin politik shqiptar shpeshherë përgjegjësia për problemet e Kosovës u atribuohet faktorëve të jashtëm, si Evropa dhe ndërkombëtarët, duke lënë anash përgjegjësitë e brendshme.
“Në diskursin politik të shqiptarëve vazhdimisht dëgjohet se fajtore është Evropa apo edhe dikush tjetër. Por ne nuk duhet t’i harrojmë faktorët e brendshëm”, ka deklaruar Buxhovi në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.
Sipas tij, pas këtyre zhvillimeve, klasa politike duhej të merrte përgjegjësi të përbashkët për shtetndërtimin.
“Klasa politike te ne nuk ishte në nivelin e përgjegjësisë që përgjegjësinë për shtetin ta kthejë në një përgjegjësi të përgjithshme politike. Nga 2010 e këndej, klasa politike në Kosovë shtetin e sheh si mundësi për pushtet”, ka thënë Buxhovi.







