Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po qëndron në Tiranë, për Samitin e Planit të Rritjes.
Në vigjilje të 28 Nëntorit, Kurti mori pjesë edhe në ceremoninë e Ditës së Forcës.
“Ushtria jonë është duke u kompletuar çdo ditë e më shumë, e për këtë ne jemi shumë të vendosur, sepse gjatë mandatit të kaluar kemi trefishuar buxhetin e ushtrisë, derisa në këtë mandat zotimi ynë është të investojmë mbi 1 miliard euro në ushtri”, shkroi Kurti.
Me këtë rast, Kurti u shpreh se synimi i FSK-së është t’i dal zot atdheut dhe të jetë pjesë e NATO-s.
Kryeministri tha se Forca e Sigurisë së Kosovës është shprehje e një përpjekjeje të gjatë të popullit të Kosovës, me shumë mundime e vuajtje të shqiptarëve që ta kenë ushtrinë, e cila do t’ua mbrojë integritetin territorial e sovranitetin shtetëror, por edhe progresin.
“Duke investuar në ushtrinë e Kosovës, duke shtuar kapacitetet dhe pajisjet për FSK-në, ne dëshirojmë që sa më parë të anëtarësohemi në NATO. Aleanca Veriatlantike në shekullin XXI do të jetë jo më pak e rëndësishme sesa në shekullin XX, dhe ne duam që anëtarësimi i Kosovës në NATO të mos jetë vetëm për përfitime, por gjithashtu edhe për kontribut”, tha kryeministri.
Ai falënderoi Republikën e Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Turqinë dhe të gjitha vendet tjera mike dhe aleate, në të cilat ushtarët e FSK-së kanë kryer trajnime apo me të cilat Republika e Kosovës ka bashkëpunim ushtarak sa i përket blerjes së armatimeve dhe municionit, e gjithashtu sa i përket pjesëmarrjes në misione të përbashkëta.
“Ne nuk i harrojmë asnjëherë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Me këtë rast, jemi mirënjohës përgjithmonë për dëshmorët e kombit, për invalidët dhe veteranët e luftës, për ata të cilët nuk kursyen as jetën që ne të jetojmë të lirë dhe ta shpallim Kosovën të pavarur, dhe të cilët na e kujtojnë përherë se nga vijmë, në mënyrë që asnjëherë të mos harrojmë se kah po shkojmë”, tha ai.







