Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka paralajmëruar të dielën që do të ketë kësi lloj arrestimesh e ndalime për shqiptarët e Kosovës, në vendkalimet kufitare.
Kurti këto deklarime i bëri pas homazheve me rastin e 25 vjetorit të masakrës në fshatin Poklek i Vjetër të Komunës së Drenasit.
“ Të dielën ka pasur një deklarim publik nga President i Serbisë, ku janë paralajmëruar që do të ketë kësi lloj arrestime, ndalimesh për shqiptarët në vendkalimet kufitare. Ai ka thënë publikisht kur e ka vizituar njësitin e specializuar “Kobra” të Ushtrisë së Serbisë që aty ku Serbia ku e ka kontrollen efektivë do të ketë sulme mbi ata që Serbia i konsideron të padëshirueshëm. E këtu e ka fjalën për shqiptarët e Kosovës, për shqiptarët që janë Preshevë, Medvegjë e Bujanoc por gjithashtu edhe për serbët që janë të integruar në institucionet e shtetit tonë”, deklaroi Kurti.
Përderisa shtoi se pas kalimit me sukses të votave në asamblenë parlamentare të KiE, Serbia e ka problem faktin që ne si shtet dhe popull ekzistojmë.
“Ndërkaq, pas kalimit me sukses me 82 % të votave në asamblenë parlamentare të KiE, duket që është përshpejtuar dhe është rritur përmasa e Serbisë e cila thjeshtë ka problem me faktin që ne si popull dhe si shtet ekzistojmë”, tha Kurti.
Ndryshe, Kurti ka kërkuar që të lirohen menjëherë qytetarët, dhe t`iu mundësohet dhënia e ushqimit.
Ai tutje theksoi se autoritetet serbe jo që vetëm nuk janë penduar për atë që ka ndodhur para 25 vjetëve, por duket qartë se kanë edhe një lloj dëshire për të vazhduar krimet e dikurshme të Millosheviqit.
Derisa, kërkoi nga qytetarët e vendit që t`a dëgjojnë me vëmendje deklaratën e Vuçiqit, kur e ka vizituar Njësitin Special të Ushtrisë serbe “Kobra” dhe sipas kryeministrit, aty do ta kuptoni.
“ Jo vetëm që janë të pa penduar për atë që e kanë bërë para 25 vjetëve, por duket qartë për një lloj dëshire për të vazhduar krimet e dikurshme të Millosheviqit. Ata duhet të lirohen menjëherë dhe duhet t`iu mundësohet që qindra shqiptar të ngujuar, të arrestuar nga autoritetet e Serbisë qoftë ndërmjet kufirit të Kosovës dhe Serbisë apo ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë t`iu mundësohet dhënia e ushqimit dhe megamenteve meqenëse për disa prej tyre po bëhen 24-orë të cilët mbahen të ngujuar dhe mesin e tyre janë fëmijë që sigurisht vuajnë më së shumti këtë gjendje kriminale, që është bërë me urdhër nga Beogradi, pra dëgjojeni me vëmendje se çfarë ka thënë presidenti i Serbisë kur ka vizituar njësitin Special të Ushtrisë serbe “Kobra” dhe aty do ta kuptoni se ajo çfarë po ndodh sot ka qenë e paralajmëruar për ne”, potencoi Kurti për media./teve1.info/