Policia e Kosovës ka apeluar te qytetarët që të kenë kujdes nga mashtrimet online gjatë shitjes së produkteve përmes platformave të ndryshme.
Sipas Policisë, së fundmi janë evidentuar raste kur persona të dyshuar paraqiten si blerës të interesuar dhe u dërgojnë shitësve vegëza mashtruese, përmes të cilave synojnë t’i marrin të dhënat e kartelave bankare.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të mos hapin linqe të dyshimta, të mos japin numrin e kartelës, datën e skadimit, kodin CVV/CVC apo kodet e konfirmimit bankar.
“Për të shitur online, nuk keni nevojë të zbuloni të dhënat e kartelës suaj bankare!”, thuhet në apelin e Policisë.
Po ashtu, në rast se kanë ndarë të dhënat bankare në faqe të dyshimta, qytetarët këshillohen të kontaktojnë menjëherë bankën për bllokimin e kartelës dhe ta raportojnë rastin në Polici./teve1.info/









