Futbollistët e Kombëtares së Kosovës, kanë vazhduar me stërvitje të martën paradite në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen me Izraelin.
Edhe stërvitja e dytë, sikurse ajo e të hënës mbrëma, është mbajtur në kampin nacional të FFK-së, në Hajvali.
Megjithatë, në stërvitjen e dytë, selektori Franco Foda e kishte të gjithë ekipin në fushë dhe jo si të hënën kur ishin të pranishëm vetëm 15-të futbollistë, pasi të tjerët ishin lënë në regjenerim pas angazhimeve me klubet e tyre.
Në stërvitjen e së martës mungoi Lumbardh Dellova kurse i pranishëm ishte edhe Betim Fazliji që i është bashkuar grumbullimit pas mungesave tashmë të konfirmuara për duelet e nëntorit.
Atmosfera brenda ekipit ishte e mirë, ndërsa selektori Foda ka pasur mundësi të mbajë seancë stërvitore me intensitet të lartë duke pasur parasysh disponimin e futbollistëve.
Kosova, të shtunën prej orës 15:00 përballet me Izraelin në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë kurse tri ditë më vonë, do të luaj në udhëtim kundër Irlandës.










