Kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim drejtorin e lartë për Evropë dhe Euroazi në Institutin Republikan Ndërkombëtar (IRI), Stephen B. Nix.
Në një postim në Facebook, Haxhiu bëri të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar për zhvillimet në Kosovë, punën e Kuvendit dhe forcimin e bashkëpunimit parlamentar.
Sipas saj, temë e diskutimit ishin edhe prioritetet legjislative, mbikëqyrja parlamentare dhe dialogu ndërmjet grupeve parlamentare.
“Diskutuam për prioritetet legjislative, mbikëqyrjen parlamentare dhe rëndësinë e dialogut e të bashkëpunimit ndërmjet grupeve parlamentare. Shkëmbyem gjithashtu pikëpamje për zhvillimet politike në Ballkanin Perëndimor, sfidat me të cilat përballet rajoni dhe rëndësinë e stabilitetit e të bashkëpunimit rajonal”, thekson Haxhiu.
Haxhiu ka vlerësuar kontributin e IRI-së në zhvillimin e demokracisë në Kosovë dhe ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit, veçanërisht në forcimin e kapaciteteve parlamentare./teve1.info/









