Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë sot në Tiranë në Samitin e gjashtë të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, dy ditë pas Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Bruksel.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, përfaqësuesit e vendeve të rajonit dhe komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos, kanë diskutuar për reformat dhe integrimin gradual në Tregun e Vetëm të Bashkimit Evropian.
Kurti ka deklaruar se zgjedhjet e përsëritura kanë ndikuar në ngadalësimin e ritmit të reformave në Kosovë, por sipas tij, me stabilizimin e institucioneve, është përshpejtuar edhe puna në këtë drejtim.
“Ndonëse funksionimi demokratik nuk na mungoi, zgjedhjet e përsëritura e ngadalësuan ritmin e reformave. Tani, me stabilitet të plotë institucional, e kemi përshpejtuar dinamikën e tyre. Do t’i përmbushim të gjitha, edhe ato për të cilat fondet humbën, sepse reformat janë detyrë e jona kombëtare dhe evropiane”, ka shkruar Kurti.
Kreu i Qeverisë ka folur edhe për bashkëpunimin rajonal, duke theksuar se ai nuk duhet të pengohet nga bllokadat ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ai ka përmendur pesë marrëveshjet e mobilitetit të ratifikuara nga Kosova, duke kritikuar Serbinë për mosnjohjen e diplomave të Kosovës.
“Kosova i ka ratifikuar të pesë marrëveshjet e mobilitetit, ndërsa Serbia ende nuk i njeh diplomat tona. Bashkëpunimi rajonal nuk duhet të mbetet peng i bllokadave: kush zbaton më shumë nga ajo që është dakorduar, duhet të përfitojë më shumë nga fondet e BE-së”, ka deklaruar Kurti.
Në fund, kryeministri ka ritheksuar kërkesën e Kosovës për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ai ka thënë se këtë kërkesë e paraqet në çdo takim, duke theksuar se qytetarët e Kosovës kanë mbështetje të lartë për integrimin evropian.
“Kosova e ka fituar këtë hap me meritë. Ka qenë gjithmonë e rëndësishme, tani është urgjente”, ka përfunduar Kurti.










