Me uniforma, armatim të ri dhe kapacitete gjithnjë e më të fuqishme, Forca e Sigurisë së Kosovës ka shënuar 27 Nëntorin – Ditën e Forcës. Në ceremoninë qendrore në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, krerët institucionalë vlerësuan zhvillimin e ushtrisë dhe ritheksuan synimin për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu tha se është krenari të shihet fuqizimi i vazhdueshëm i FSK-së, duke kujtuar edhe ata që shërbyen në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe nuk arritën ta shohin këtë ditë.
Haxhiu theksoi se institucionet do të vazhdojnë angazhimin për fuqizimin e FSK-së, me synimin që Kosova të bëhet pjesë e NATO-s, përkrah aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Është krenari për sa kohë pamë që ushtria jonë në vazhdimësi po fuqizohet me armatim. Kur shohim vajzat dhe djemtë, të ushtrisë tonë, teksa mbajnë të veshur uniformën e Forcave të Sigurisë së Kosovës, na shkon mendja tek ata që shërbyen me devotshmëri në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ata që u bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Që, fatkeqësisht, sot nuk mund ta shohin se sa e fortë është ushtria jonë. Ishte krenari po ashtu që të shohim fëmijët teksa me ëndje, me dashuri, i shihnin ushtarët tanë, ndoshta shumë prej tyre në të ardhmen do të shërbejnë në ushtrinë e Republikës së Kosovës. Si institucionet e Republikës së Kosovës, për sigurinë e fëmijëve, për sigurinë e qytetarëve të Kosovës, për brezat që po vijnë, do të vazhdojmë angazhimin që ta forcojmë ushtrinë tonë, e që Republika e Kosovës të jetë edhe anëtare e NATO-s, pikërisht krah aleatëve, partnerëve që bashkërisht me ne e kanë zhvilluar historinë e Republikës së Kosovës. Nderim dhe respekt të gjithë atyre që dhanë jetën, që sot ne jemi shtet i pavarur e të jemi të lirë, e po ashtu më lejoni që të uroj Ditën e Forcës, pra 27 nëntorin, por edhe 28 nëntorin, Ditën e Pavarësisë, Ditën e Flamurit”, ka thënë Haxhiu.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se forcimi i ushtrisë është një nga dëshmitë më të qarta të përmbushjes së amanetit të atyre që ranë për lirinë e vendit.
Ajo theksoi se Kosova nuk ka synime ndaj asnjë shteti fqinj, por synon forcimin e kufijve dhe sigurisë së qytetarëve.
“Ne sot kemi ardhur që ta shohim nga afër realitetin e krijuar në vendin tonë, dhe nuk ka pasqyrë më të qartë dhe nuk ka mesazh më të fuqishëm për realizimin e amanetit të të gjithë atyre që ranë për lirinë e vendit tonë sesa ky realitet i ri i krijuar. Sa më shumë që e forcojmë forcën e sigurisë, ushtrinë e Republikës së Kosovës, aq më larg qëndrojnë të gjithë ata të cilët na kërcënojnë me luftë dhe konflikt. Nuk kemi ndërmend të sulmojmë askënd, nuk kemi synime ndaj asnjë fqinji. Duam vetëm t’i forcojmë kufijtë tanë, ta forcojmë sigurinë e qytetarëve të Republikës sonë dhe vendin tonë. Prandaj, përgëzoj nga zemra komandantin Bashkim Jashari, ministrin e mbrojtjes e Ejup Maqedonci, dhe të gjithë ata të cilët çdo ditë, çdo orë dhe çdo minutë e investojnë për ta bërë qytetarin e Kosovës të ndihet më i sigurt dhe të flejë më qetë me gjithë konfliktet që kanë shpërthyer në të katërt anët e botës, edhe me gjithë kërcënimet e vazhdueshme që marrim nga fqinji ynë. Kosova, Republika e Kosovës, anëtare e NATO-s, është synimi të cilin nuk e fshehim dhe për të cilin e shohim që çdo ditë punohet këtu”, tha Gërvalla.
Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, bëri të ditur se gjatë kësaj qeverisjeje janë investuar rreth 500 milionë euro në blerjen e sistemeve të armatimit, mjeteve transportuese dhe pajisjeve të tjera të nevojshme për operacionalitetin e FSK-së.
Ai tha se investimet janë përqendruar në tri fusha kryesore: pajisjen me armatim dhe mjete të nevojshme, zhvillimin e personelit dhe ndërtimin e infrastrukturës ushtarake.
“Ditë që na bashkon, ditë që tregon për përkushtimin tonë për mbrojtjen e sovranitetit dhe territorit të Republikës sonë….Investimet tona gjatë kësaj qeverisjeje janë orientuar në 3 drejtime kryesore. Përkushtimi ynë dhe paraqitja ka qenë që të fokusohemi në blerje të sistemeve të armatimit, në mjetet transportuese, në pajisjet, në gjërat e tjera të nevojshme për ta operacionalizuar ushtrinë, dhe deri më tani janë bërë gati 500 milionë euro investime për blerje të sistemeve të armatimit, transportit dhe pajisjeve të tjera të nevojshme për operacionalitetin e FSK-së. Fokusi i dytë në investime ka qenë personeli, ku kemi qenë të orientuar në edukimin e forcës së sigurisë së Kosovës, edukimin e personelit të forcës së sigurisë së Kosovës, në rekrutimin e personelit. Tashmë kemi numrin e nevojshëm që ka qenë i paraparë që të rekrutohet deri në vitin 2028, pra kemi përmbyllur këtë pjesë, dhe gjithashtu kemi zhvilluar programe trajnuese. Kurse fusha e tretë ka qenë infrastruktura dhe bazat e reja”, ka thënë Maqedonci.
Maqedonci bëri të ditur se Kosova tashmë ka katër baza më shumë sesa ishte paraparë në Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, si dhe dy poligone të mëdha trajnimi, të cilat shfrytëzohen nga pjesëtarët e FSK-së dhe partnerët ndërkombëtarë për realizimin e ushtrimeve të përbashkëta.
“Dihet që kemi 4 baza më shumë sesa ka qenë e planifikuar të kemi në planin gjithëpërfshirës të tranzicionit. Kemi 2 poligone të mëdha trajnimi, të cilat po shfrytëzohen edhe nga forcat tona, por edhe nga partnerët tanë, për të realizuar ushtrime duke përfshirë edhe ato ushtrimet ndërkombëtare që kemi parë që kanë qenë seria e ushtrimeve Defender Europe. Shumë prej fushave i kemi tejkaluar qysh tani, nuk do ta presim vitin 2028 për t’i deklaruar të validuara shumë kapacitetet që i kemi kryer tani. Ne jemi në përfundim të fazës së tranzicionit dhe normalisht jemi edhe në përfundim të operacionalitetit të plotë të FSK-së, kështu që në periudhën në vazhdim objektivat tona do të fokusohen edhe në fusha të tjera, siç është industria e mbrojtjes, ku jemi duke bërë punë të vazhdueshme dhe me përkushtim të lartë, dhe gjithashtu mbrojtja gjithëpërfshirëse një koncept i ri, një sistem i ri mbrojtjes, ku e vendos qytetarin në pikë qendrore në aspektin e angazhimit për mbrojtje dhe siguri”, tha ai.




