Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës , Vlora Çitaku, ka uruar pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës me rastin e 27 Nëntorit – Ditës së Forcës.
Përmes një postimi, Çitaku ka bërë të ditur se së bashku me deputetin e PDK-së dhe ish-komandantin e FSK-së, gjeneralin Rrahman Rama, kanë kujtuar 14 dhjetorin e vitit 2018, kur Kuvendi i Kosovës votoi për transformimin e FSK-së dhe marrjen e mandatit të ushtrisë.
Ajo ka rikujtuar se në atë kohë Hashim Thaçi ishte president dhe komandant suprem i Forcës, ndërsa gjenerali Rrahman Rama, në cilësinë e komandantit të FSK-së, kishte rol të rëndësishëm në përgatitjen e saj për mandatin e ri.
“Në atë moment historik, presidenti Hashim Thaçi ishte komandant suprem i Forcës, ndërsa gjenerali Rama, si komandant i saj, luajti rol vendimtar në përgatitjen e FSK-së për mandatin e ri dhe e udhëhoqi Forcën në vitet e para të transformimit”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka përmendur edhe 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit, duke kujtuar daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e atyre që luftuan për lirinë e vendit.
Në mesazhin e saj, Çitaku ka falënderuar pjesëtarët e FSK-së për shërbimin dhe përkushtimin ndaj Republikës së Kosovës.
“Të dashura pjesëtare dhe të dashur pjesëtarë të Ushtrisë së Kosovës, ju falënderoj për përkushtimin me të cilin i shërbeni Republikës. Urime Ditën e Forcës, Kosovë!”, ka përfunduar ajo.







