Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ushtruesja e detyrës së presidentes në Kosovë, Albulena Haxhiu kanë bërë homazhe sot te Memoriali i Personave të Zhdukur me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë.
Me këtë rast, kryeministri në detyrë, Albin Kurtii rikujtoi zotimin e Serbisë për bashkëpunim në hapjen e arkivave, duke theksuar rëndësinë e deklasifikimit të dosjeve të ushtrisë ish- Jugosllave.
“Mos harrojmë edhe deklaratën e 2 majit të vitit 2023, me të cilën Serbia zotohet që do të bashkëpunojë për hapjen e arkivave në mënyrë që të zbardhet e vërteta. Më duhet ta ritheksoj që një ndër dosjet më të rëndësishme që të deklasifikohet është ajo e brigadës së motorizuar ushtarake të Ushtrisë Jugosllave 37, e cila ka kryer shumë masakra në Kosovë e posaçërisht në Drenicë”, tha ai.
Më tej, ai theksoi se Kosova nuk mund të presë deri në vitin 2044 për hapjen e arkivave, duke e lidhur njëkohësisht klasifikimin e tyre me periudhën kur Aleksandar Vuçiq ishte ministër i Mbrojtjes i Serbisë.
“Nuk mund të presim deri në vitin 2044 që të hapen këto arkiva. Ato do të duhej që të hapeshin që dje, që pardje. Ndërkohë që janë klasifikuar pikërisht në vitin 2014, atëherë kur presidenti aktual i Serbisë, Vuçiç, ishte ministër i Mbrojtjes dhe ishte gjithashtu dhe koordinatori i shërbimeve sekrete informative. Tash merreni me mend, ky që është presidenti i Serbisë sot, në vitin 2014 kur janë klasifikuar dosjet e Ushtrisë Jugosllave që kanë kryer krime në Kosovë, e në veçanti e brigadës së motorizuar 37, ka qenë ministri i Mbrojtjes dhe koordinatori i shërbimeve informative dhe sekrete të Serbisë”, tha Kurti.
Ai u shpreh se këto dosje duhet të hapen një ditë e më parë dhe kërkoi nga BE t’i bëj trysni shtetit serb që të hap këto arkiva.
“Prandaj, tash që kanë kaluar 10 vjet nga klasifikimi i kësaj dosje, nuk mund të presim ne edhe 18 vjet të tjera deri në vitin 2044 që duhet të hapen. Duhet të hapen një ditë e më parë. I falënderojmë edhe ambasadorët e akredituar në Republikën e Kosovës që ishin të pranishëm sot këtu bashkë me ne për të bërë homazhe për të pagjeturit, por në të njëjtën kohë kërkojmë nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë, posaçërisht nga Bashkimi Evropian, ku Serbia po synon të anëtarësohet dhe nga e cila Serbia merr fonde qindra e qindra milionshe, që të bëjnë trysni për hapjen e këtyre dosjeve”, tha ai.
Kurti tha se kjo është një plagë e hapur për të cilën duhet të vihet në vend përgjegjësia.
“Janë mbi 1,500 të pagjetur, familjet e të cilëve jetojnë me ankth, me pikëllim, me mundime të cilat ne as i përshkruajmë, as i kuptojmë tërësisht, për shkak se nuk kanë një varr të dinjitetshëm për më të dashurit e tyre, të cilët nuk janë thjesht numra, nuk janë as vetëm emra e mbiemra, por janë njerëz të cilët sot do të ishin mjekë e inxhinierë, e punëtorë e menaxherë, do të ishin arkitektë e profesorë, dhe të cilët do të kontribuonin në jetën ekonomike e shoqërore të vendit tonë, por edhe do t’i gëzonin familjet e tyre dhe do të kishin ata familje. Andaj, kjo është një plagë e hapur e cila duhet të zbardhet dhe për të cilën duhet të vihet në vend përgjegjësia. Dita Ndërkombëtare e të Pagjeturve sivjet na gjen pesë javë pasi që u bënë gërmimet e para në veri të Kosovës, përkatësisht në fshatin Kalludër, ku deri më tani janë zbuluar dy varreza masive — njëra prej tyre është me 13 mbetje mortore, tjetra është me gjashtë — si dhe kemi dhe një varrezë të tretë masive me të paktën katër mbetje mortore në fshatin Jabukë”, tha Kurti.
Edhe një herë, Kurti i bëri thirrje Serbisë të bashkëpunojë me institucionet kosovare drejt zbardhjes së fatit të të pagjeturve.
Dje gjatë ditës së dytë kanë vazhduar gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël të komunës së Zubin Potokut, ku institucionet e Kosovës po zhvillojnë operacione kërkimi, pasi dyshohet se në këtë lokacion mund të ketë një varrezë masive nga lufta e fundit në Kosovë.






