Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka deklaruar se Ligji për Specialen nuk mund të prodhojë efekte juridike ndaj të akuzuarve, pa përfunduar fillimisht procedurat gjyqësore në shkallën e dytë të Gjykatës Speciale në Hagë.
Në emisionin “Ditari” në Tëvë1, Kryeziu ka theksuar se efektet e mundshme të këtij ligji mund të shqyrtohen vetëm pasi të merret vendimi përfundimtar në shkallën e dytë.
“Ky ligj, nëse hyn në fuqi, nuk mund të vlejë derisa ta marrë verdiktin shkalla e dytë e Apelit. Ky ligj mund të ketë efekt pasi ta marrë verdiktin e dytë, do të thotë në Gjykatën e Hagës. Pastaj ka mundësi që ta marrë një efekt pozitiv, sepse ato janë tri kërkesa, ankesa, kërkesa dhe pastaj me kërku edhe me i kthyer me vuajt dënimin në Kosovë dhe presidentes me i dhënë hapësirë për amnistimin e tyre”, ka deklaruar Kryeziu.
Ai ka vlerësuar gjithashtu se, deri në përfundimin e procedurave në shkallën e dytë të Gjykatës Speciale, ligji nuk mund të ketë efekt në këtë drejtim.
Duke komentuar edhe deklaratat e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, lidhur me Ligjin për Specialen, Kryeziu ka thënë se çështja e kthimit të ligjit në Kuvend nga presidentja Justina Shiroka-Pula paraqet një problem procedural dhe burokratik.
Sipas tij, për këtë çështje duhet të kërkohet sqarim nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa ka shtuar se afati për ushtrimin e vetos presidenciale tashmë ka përfunduar.
“Duhet me e pyet Gjykatën Kushtetuese, kjo është problem burokratik. Vetoja është kryer për arsye se ata kanë pasur afat vetëm katër javë, pra ka përfunduar vetoja, nuk ka më veto. Tashmë ka filluar ligji i ri nga fillimi dhe nuk dihet kur mbaron”, ka thënë Kryeziu.







