Me nga shtatë mijë fjalë, katër ekipet mbrojtëse të ish krerëve të UÇK-së do t’i drejtohen Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Përmes shkresës ata do të bëjnë njoftimet e tyre për apelimin e vendimit dënues me 81 vjet burgim.
Edhe këto njoftime, konsiderohen se janë të rëndësishme për betejën në Apel.
“Ky afat që në start nuk ka qenë i mjaftueshëm, pasi palët, në fakt mbrojtja ka kërku një afat më të gjerë për t’i paraqitur arsyet e apelimit. Gjithsesi, besoj se ata brenda kësaj kohe i kanë marrë të gjitha masat dhe i kanë evident të gjitha ankesat që duhet t’i adresojnë në Gjykatën e Apelit tek Dhomat e Specializuara” , thotë avokati Arbër Jashari.
Pjesa më e rëndësishme e apelit, është pas 27 nëntorit, ku brenda dy muajve ekipet mbrojtëse duhet të bëjnë dosjen e kundërshtimit të verdiktit të shkallës së parë.
Mirëpo, bazuar në shtyerjen e afatit për njoftim, konsiderohet se do të ketë edhe zgjatje të afatit për dorëzimin e dosjeve.
“Pas kalimit të këtij afati, pastaj si rregull është afati gjashtëdhjetë ditësh, ku palët, në rastin konkret mbrojtja, duhet të paraqesë ankesën e detajizuar në lidhje me atë se çka pretendon që është konstatuar gabimisht në aktgjykimin e shkallës së parë. Vlen të theksohet, se më shumë gjasë mund të kërkohet që të kemi edhe një shtyrje shtesë të këtij afati gjashtëdhjetë ditor, bazuar në kompleksitetin si dhe vëllimin e madh të materialeve që duhet mbrojtja t’i shqyrtojë”, shprehet Ardian Bajraktari-avokat.
Gjatë kësaj jave, është njoftuar se edhe grupi punues i formuar nga Qeveria e Kosovës për apelimin, do të dalë me strategjinë e saj.






