Ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i ish-presidentit, Ibrahim Rugova.
Madje, Xhemajl Mustafa kontribuoi edhe në themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Mustafa kishte dhënë kontributin e tij në çështjen kombëtare gjatë viteve 90-ta, si edhe pas luftës në Kosovë.
Megjithatë, ai u privua nga jeta në vitin 2000.
Pasditen e 23 nëntorit të vitit 2000, Xhemajl Mustafa derisa po kthehej nga puna, u vra me gjashtë plumba në hyrjen e banesës së tij. 26 vite pas, vrasja e tij ende mbetet e pa zbardhur”
Kujtimin për të e ka ende bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Muhamet Hamiti, i cili e cilëson figurën e Mustafës si intelektualin më të çmuar të kohës.
“Po flasim për Xhemajl Mustafën që u vra në atentat, në liri, Enver Maloku ishte vrarë në atentat në janar të vitit 1999, atentat kishte edhe ndaj ish-presidentit Rugova, dmth kjo Lëvizje gjithëpopullore për Liri, Pavarësi, Demokraci, ka pasur njerëzit më të mirë të Kosovës të cilët kanë paguar edhe me jetë siç është rasti me Xhemajl Mustafën”, shprehet Halimi.
Sipas tij, është e rëndë që dorasit e vrasjes së tij ende nuk janë kapur nga drejtësia.
“Ka qenë njeri i qetë, i urtë, intelektual i vërtetë dhe duket që integriteti i tij profesional, moral e atdhetar i ka penguar dikujt dhe për atë ia kanë marrë jetën… Është shumë e rëndë të dihet që Xhemajl Mustafa dhe njerëz tjerë ilustrativë janë vrarë, madje në rastin e z.Mustafa në liri dhe vrasja e tij mbetet ende e pazbuluar”, thotë Halimi.
Mustafën e kujton edhe një veprimtar i LDK-së, Fetah Rudi, i cili pas luftës i mbijetoi një atentati.
Madje, ai thotë se ka dyshime të bazuara që arma e përdorur ndaj tij të jetë edhe e vrasjes së Mustafës.
“Rrjedhshmëria e ngjarjeve ka vazhdu e njëjta, unë edhe në varrimin e Xhemajl Mustafës kam qenë i kërcënuar, por edhe për të pame kur kemi shkuar kam qenë i përcjellur, dmth këtë e ka thënë edhe ish-kryeprokurori, Aleksandër Lumezi, ai ka thënë se armët që është vra Xhemajl Mustafa, është vra edhe Fetah Rudi dhe sipas informacioneve kjo është e vërteta”, thotë Rudi.
Të hënën për homazhe te varri i Mustafës ishte kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku me bashkëpartiakë, ku përmes një postimi tha se shteti i detyrohet familjes së tij me drejtësi për vrasjen e tij.






