Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në Irlandë, është pritur nga përfaqësues të Komitetit për Çështje të Bashkimit Evropian në Parlamentin e Republikës së Irlandës.
Në këtë takim morën pjesë kryesuesi i Komitetit, Barry Ward, anëtari Rúairí Ó Murchú, sekretari Ivan Farmer, si dhe drejtori për Zgjerim dhe Njësinë për Evropën Juglindore të BE-së, Frank Smyth.
Përmes një postimi, Kurti ka theksuar rëndësinë e përshpejtimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës, duke kërkuar që Këshilli i Bashkimit Evropian të kërkojë mendim nga Komisioni Evropian për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022.
Sipas Kurtit, marrja e statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim janë hapa thelbësorë që rrugëtimi zyrtar i Kosovës drejt BE-së të mos vonohet më tej.
“Për ne procesi nuk është më pak i rëndësishëm se arritja në cak, sepse me përmbushjen e reformave përveçqë lëvizim përpara në rrugën evropiane, përfitojnë qytetarët dhe forcohemi si shtet”, ka shkruar Kurti.
Kreu i Qeverisë ka shprehur gjithashtu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës ndaj Kosovës, duke përmendur kontributin e këtij shteti në strehimin e refugjatëve dhe pjesëmarrjen në kuadër të misionit të KFOR-it.







