Për rreth katër vite, qëndroi brenda këtyre mureve.
Nën akuzat për ndërhyrje në drejtësi, Hysni Gucati, vuajti një pjesë të dënimit në këtë qendër paraburgimi në Hagë.
Përgjatë kësaj kohe, ai pati jo pak probleme shëndetësore.
Gucati ishte operuar dy herë në këmbë, ku ai pati fjalë të mira për trajtimin e ofruar.
“Mu më kanë operu dy herë për shkak që e kanë pa gjendjen time që infeksioni m’u patë rritë kogja shumë. Operacioni i dytë ka pasë infeksion alamet të lartë, dhe është dashtë që brenda 4-5 orëve të më operojnë urgjent. Më kanë vendos dy proteza, në spitalin e Mbretit dhe në Spitalin e Qytetit, domethënë në dy spitale jam bo operacion në Hagë. Të them sinqerisht në Spitalin e Mbretit më kanë trajtu aq mirë, sa edhe në Kosovë nuk e di a ka qasi trajtimi”, tregon Gucati për Tëvë1.
Mirëpo, ai tregon një episod me Salih Mustafën që kishte pasur nevojë për ndërhyrje mjekësore në ditë vikendi, e cila nuk i ishte ofruar.
“Kemi pasë frikë për Salihin se aq mori infeksion, një kallje të brendshme, një temperaturë të lartë, që u detyru Salih Mustafa me i hjek dhamtë, ndoshta edhe iu imponu brenda atyre dy ditëve të vikendit që s’kish mjekë, aty kish vetëm teknik. Deri ditën e hanë, Salih Mustafa ka duru aq shumë sa edhe syni ke t’u ju mshel se ju aj dhami edhe devijojë edhe fytyra nga e ajtja. Kështu që, ka qenë një gabim i madh i tyre, që ne kemi protestu të gjithë, më i zëshmi ka qenë presidenti Hashim Thaçi”, shprehet Gucati.
Megjithatë, kundër çdo trajtimi mjekësor që vjen nga Specialja, ka dalë Jakup Krasniqi.
Këtë e ka konfirmuar djali i tij, Altin Krasniqi, i cili tha se aktualisht gjendja shëndetësore e babait të tij është e mirë.
Ky vendim i ish-zëdhënësit të UÇK-së, të dënuar me 25 vite burgim nga Specialja, po cilësohet si qëllim për shprehje të revoltës.
“Duhet kuptuar si shprehje e një paknaqësie ose revoltë sa i përket mënyrës së trajtimit këtyre personave nga ana e Dhomave të Specializuara, e cila në vazhdimësi është paraqitur si shqetësim për sa i përket mënyrës se sjelles, qasjes ndaj tyre”, thotë avokati Ardian Bajraktari.
Televizioni ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga ana e Dhomave të Specializuara, por që të njëjtit gjatë së enjtes nuk kanë kthyer përgjigje.






