Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca nuk beson që deklarata për të pagjeturit do të nënshkruhet, pasi sipas informacioneve që ka, Serbia nuk do të pranojë.
Ai deklaroi për Tëvë 1 se Serbia duhet të marrë përgjegjësi për të gjitha krimet që i ka bërë.
“Po për këtë deklaratën e të zhdukurve me dhunë, siç po duket Serbia me aq informata sa kam është që nuk e ka vullnetin e plotë siç duket me e pranu, edhe pse në mënyrë gojore e ka thënë që e pranon, por prej informatave që unë i kam po qesin kushte e problematika të paqena të cilat janë vetëm si justifikime që mos me e pranu atë deklaratë. Unë shpresoj shumë dhe uroj që në fund të miratohet, por atje siç duket në Serbi janë ngritur debate në mes opozitës dhe pushtetit që faktikisht Serbia e merr obligimin për të gjithë ata persona që i ka zhduk me dhunë në Kosovë, sepse kur thuhet persona të zhdukur me dhunë, janë persona të cilët shteti i Serbisë i ka marrë i ka rrëmby, edhe në qoftë se janë persona të vrarë në masakra, një pjesë të madhe të trupave i ka marrë edhe i ka dërgu në Serbi, e ajo Serbia duhet me marrë përgjegjësinë si shtet për të gjitha këto që i ka bërë”, deklaroi ai për Tëvë 1.
“E ajo deklarata (për të pagjeturit) e adreson këtë fjalor, do të thotë personat janë të zhdukur me dhunë, natyrisht nga ana e shtetit serb. Këto Serbia duhet me pranu për me mujt deklarata me u nënshkrua”, shtoi Konjufca.
Konjufca thotë se termit të zhdukur me dhunë, duhet t’i shtohet edhe “të rrëmbyer e të zhdukur me forcë”.
“Termi të zhdukurit me dhunë duhet të përdoret aty, diku ndoshta edhe të zhdukurit me forcë, mirëpo faktikisht atë kuptim e ka, më shumë përgjegjësia duhet të specifikohet, përgjegjësia është e shtetit të Serbisë dhe Serbia duhet të jep llogari për ato, sepse kur të pranohet pastaj përgjegjësia duhet të hapet Serbia dhe të gjitha institucionet shtetërore edhe arkivat dhe të gjenden urdhërdhënësit dhe pastaj ata urdhërdhënësit duhet të dëshmojnë se ku i kanë vendos ata trupa, ku i kanë fsheh ata trupa. Ju e dini se rreth një mijë që janë gjetur, pjesa më e madhe e tyre janë gjetur në institucionet shtetërore ku i ka mbulu Serbia, për shembull në poligonin ushtarak që janë gjetur atje, pastaj në liqe në Peruçac nje pjesë e trupave, një pjesë nëpër vendet e tjera të Serbisë. Mirëpo Serbia duhet të pranojë këtë çështje edhe është përgjegjësia e saj, pa këtë pranim nuk mund të nënshkruhet deklarata për të pagjeturit”, tha ai.
Kryekuvendari Konjufca ka komentuar edhe punën e ekipit menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.
Ai theksoi se nuk e përjashton mundësinë që Kosova ta kërkojë largimin e këtij ekipi menaxhues.
“Jo por unë nuk pres që ky ekip menaxhues ti mbrojë interesat e Kosovës, ai udhëhiqet nga një deputete e Vuqiçit, si mund këta të shkruajnë Asociacion për Kosovën. Kjo është një papërgjegjësi e ekipit menaxhues dhe kjo tregon që ekipi menaxhues nuk i përgjigjet Kosovës, prandaj unë nuk e di se si mund të konsiderohet i Kosovës ai ekip. Ky ekip menaxhues faktikisht nuk është i Republikës së Kosovës. Nuk e përjashtoj si mundësi pas këtyre sjelljeve të papërgjegjshme të ekipit menaxhues”, tha ai.
Zyra për media e Bashkimit Evropian ka bërë të ditur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre për takim më 2 maj në Bruksel.
Sipas njoftimit, Kurti dhe Vuçiq do të zhvillojnë një takim të përbashkët me shefin e Politikës së Jashtme dhe asaj të Sigurisë në BE, Josep Borrell dhe emisarin e BE-së, Mirsolav Lajçak, duke filluar nga ora 18:00.
Theksohet se palët pritet të miratojnë deklaratën për personat e zhdukur, si pikë të parë të rendit të ditës, si dhe të ketë një diskutim për draft-statutin e parë të Asociacionit. /Teve1.info/