Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit ka miratuar në mbledhjen e sotme propozimet e grupit punues për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Në votim, propozimet morën gjashtë vota për dhe tri kundër, pa asnjë abstenim.
Ndërkaq, komisioni nuk e miratoi amendamentin e propozuar nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar që Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme të shqyrtohet në detaje nga komisioni përkatës.
“Mendoj që është shumë e rëndësishme që mos me u përdor ky diskutim sot, siç e përdorët ju me zonjën Kica, që po replikohen çështje të cilat ne si anëtarë të komisionit nuk i kemi dëgjuar. Ne s’kemi qenë pjesë e grupit punues për t’i dëgjuar argumentet të cilat sot i solli në komision zonja Kica, dhe është krejtësisht valide edhe ka nevojë që ky komision, për një ligj kaq të rëndësishëm, të flasë në detaje. Pra, po shihet që përkundër faktit që ka pasur amendamente edhe prej zotit Gruda, është inkorporuar, edhe përkundër faktit që shoqëria civile ka pasur një mori propozimesh, me sa jam e informuar, është marrë përsipër vetëm një prej tyre. Mënyra se si ju e keni trajtuar byronë, e cila në fakt nuk konfiskon pasuri, gjykata e konfiskon pasurinë, keq është nisur kryetar, forma se si byroja për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme po trajtohet me këtë emergjencë”, tha Deliu-Kodra.
Ndryshe, projektligji parashikon themelimin e Byrosë Shtetërore si institucion i pavarur për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve dhe personave të tjerë të lidhur me të, ku pragu i mospërputhjes prej mbi 25 000 euro nxit procedurat e konfiskimit gjyqësor.
Qeveria e miratoi këtë projektligj më 26 shtator 2026.






