Sipas një reagimi në faqen zyrtare në Facebook të organizatës, përveç publikimit të një video ku Fazliu shihet duke abuzuar me fëmijën, i njëjti ka mbajtur edhe pozitën e UD të Shefit të Shërbimit të Logopedisë në Klinikën e Otorinolaringologjisë pa pasur licencë nga Oda e Infermierëve të Kosovës.
“Sot, ndonëse faktet për abuzimin e ushtruar nga Iljasa Fazliu janë publike dhe të padiskutueshme dhe i njëjti është ende nën hetime si dhe ende nuk ka pranuar licencën e tij nga Oda e Infermierëve të Kosovës, ai vazhdon të punojë në ShSKUK si logoped.
Vendimi i kthimit i të Iljasa Fazliut në punë paraqet rrezik për shëndetin publik të qytetarëve të Kosovës dhe precedent të dëmshëm. Rikujtojmë se abuzimet ndaj fëmijëve, sidomos të fëmijëve me autizëm të cilët paraqesin një nga shtresat më të cenueshme të shoqërisë sonë, kanë pasoja afatgjate në shëndetin e tyre mendor”, thuhet ndër të tjera në njoftim.
Sipas Qendrës për Informim dhe Përmirësim Social, me këtë vendim, ShSKUK i vendosë në rrezik të abuzimit të mëtejshëm të gjithë fëmijët të cilët mund të kërkojnë trajtim nga logopedi, çka mund të shkaktojë edhe çrregullime të depresionit, ankthit, apo të shfaqë mendime për vetëvrasje.
“Kjo gjithashtu e forcon normalizimin e dhunës, duke e bërë atë institucionale dhe të pandëshkueshme. Për ne, kjo është e pa pranueshme. Si shërbim i cili duhet të ketë në qendër nevojat e pacientëve, e jo të ruajë abuzues të cilët mbulohen nën petkun e profesionistit, ShSKUK ka për obligim që të sigurojë standardin më të lartë të shërbimeve të cilat ofron. Andaj, ne kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të Iljasa Fazliut nga ShSKUK dhe të komisionit disiplinor të cilët e kanë mundësuar kthimin e tij. Këto shkarkime janë të domosdoshme për të ofruar një hapësirë të sigurt të punës dhe për të rifituar besimin e qytetarëve. Çdo hap tjetër është i pa pranueshëm”, thuhet në njoftim.