Unitet Berisha
E kjo është vetëm një nga ndërtesat që është dëmtuar në qytetin e Drenasit, shkaku i erërave të forta, që goditën këtë qytet të premten.
Policia e Kosovës ishte e para që arriti.
Edhe zjarrfikësit nuk vonuan, sikurse edhe ekipet e KEDS-it.
Të njëjtit filluan punën menjëherë, kurse drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në këtë komunë tha se janë marrë të gjitha veprimet me kohë.
“Fatbardhësisht, deri tani nuk ka pasur të lënduar në njerëz, kurse dëme materiale kemi pasur, sidomos automjetet që ishin më herët në parking, me intervenimin e zjarrfikësve dhe policisë, por edhe një kompani që e kemi të kontraktuar për raste emergjente”, tha Nexhmedin Gruda, Drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë.
Në pjesën e parkingut nuk ishte edhe shumë i vështirë largimi i pjesëve që ranë nga kulmi.
Por, më sfiduese qe pjesa e largimit të kulmit që ishte gati për të rënë, që nuk ishte e vetmja punë që kishin zjarrfikësit.
“Kemi 3-4 intervenime që kemi kryer gjatë kësaj kohe prej orës 11:00, në fshatin Nekoc, ku ka rënë pullazi i shtëpisë”, deklaroi Afrim Gjeli, Shef i Zjarrfikësve në Drenas.
E derisa po merreshin me këtë pjesë, në vendin e ngjarjes erdhi edhe i pari i komunës, Ramiz Lladrovci.
I njëjti, fillimisht, iu dha disa sugjerime policisë.
E pastaj edhe zjarrfikësve.
A qenë sugjerimet e tij ato që bënë ndryshimin, nuk dihej, por zjarrfikësit arritën ta përfundonin punën me sukses.
Erëra të forta pati edhe në komunat e tjera të Kosovës, ku ndër më të prekurat ishte edhe Deçani.
Kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, me anë të një postimi në Facebook bëri të ditur se është dashur të intervenohet në fshatrat Voksh, Drenoc, Gllogjan, Shaptej, Strellc dhe Gramaçel.






