Analisti politik nga Lugina e Preshevës, Valon Arifi, ka vlerësuar se sigurimi i dy mandateve nga Koalicioni Shqiptar në Parlamentin e Serbisë nuk duhet të cilësohet si fitore historike. Sipas tij, shqiptarët kanë pasur edhe më parë përfaqësim më të madh parlamentar, ndërsa votat e dhëna për partitë e tjera mund të kenë ndikuar në mosarritjen e mandatit të tretë.
Duke folur në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Arifi ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve parlamentare në Serbi, ku Koalicioni Shqiptar siguroi dy ulëse, të cilat do t’i përfaqësojnë Shaip Kamberi dhe Visar Mehmeti.
Ai ka folur edhe për mundësinë e bashkëpunimit të Koalicionit Shqiptar me qeverinë e re të Serbisë, duke shprehur rezerva lidhur me këtë çështje dhe me qasjen e përfaqësuesve politikë shqiptarë.
Arifi ka kundërshtuar vlerësimet se dy mandatet e fituara përbëjnë një rezultat historik për shqiptarët në Serbi. Ai ka kujtuar se gjatë viteve të mëparshme, shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë pasur deri në tre përfaqësues në Parlamentin serb.
“E pashë në Prishtinë, kur erdha, që e kishin shpallur historike. Shqiptarët në Serbi, në vitet e 90-ta, kanë pasur dy deputetë. Kanë qenë ish-deputetët Behlul Nasufi dhe Tahir Dalipi. Pastaj ka pasur deputetë të tjerë, ndërsa në një periudhë kanë pasur edhe tre deputetë. Sot kanë dy deputetë, kështu që nuk është ndonjë fitore për shqiptarët atje”, ka deklaruar Arifi.
Sipas tij, rezultati aktual duhet të shihet në kontekstin e përfaqësimit të mëparshëm politik të shqiptarëve në institucionet e Serbisë.
Arifi ka ngritur shqetësimin edhe për votat që, sipas tij, shqiptarët në Luginën e Preshevës ua kanë dhënë partive të tjera politike serbe.
Ai ka pretenduar se rreth 2.000 vota kanë shkuar për një parti serbe që e cilësoi si përparimtare, ndërsa rreth 1.000 vota të tjera mund të kenë shkuar për një subjekt të lidhur me ish-ministrin në pushtetin e Vuçiqit, Usame Zukorliq.
Sipas vlerësimit të tij, këto vota mund të kenë ndikuar që Koalicioni Shqiptar të mos e sigurojë edhe mandatin e tretë në Parlamentin e Serbisë.







