U nisën në heshtje drejt kompleksit memorial të varrezave të fshatit Baballoq.
Mes flamujve kombëtarë, nderimeve shtetërore dhe lotëve të familjarëve, u kthye sot në tokën e tij, Agron Sadri Gjocaj.
Pas 28 vitesh pritjeje, eshtrat e dëshmorit u rivarrosën me nderime të larta shtetërore, duke i dhënë lamtumirën e merituar sakrificës së tij për lirinë.
Gjocaj kishte rënë dëshmor më 18 gusht të vitit 1998, në Trekufi.
Ishte vetëm 20 vjeç kur u vra, ndërsa eshtrat e tij u gjetën së fundmi në fshatin Jahoc të Gjakovës.
Këtë të shtunë, në rivarrim përveç familjarëve e bashkëluftëtarëve, morën pjesë edhe përfaqësues institucionalë.
“Sot në rivarrim në Baballoq për luftëtarin, për dëshmorin, Agron Gjocaj e që po na jep një mesazh gjithë neve se sa e vështirë dhe sa e shtrenjtë ka qenë me jetu këtë ditë të lirë me atë krenarinë tonë dhe me i rrit fëmijët tonë me atë krenarinë tonë. Lavdi gjithë dëshmorëve”, deklaroi kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.
Nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur, Kushtrim Gara u shpreh se pas kaq shumë vitesh pritje, familja Gjocaj po i jep sot prehjen e merituar Agronit.
“Janë 27 vite ankthi, shprese por edhe qëndresë dinjitoze për familjen Gjocaj dhe për gjithë bashkëluftëtarët e Agronit. Agron Gjocaj u zhduk padrejtësisht gjatë luftës por asnjëherë nga zemrat e familjes e zemrat tona por edhe nga përgjegjësia jonë për të kërkuar të vërtetën”, deklaroi Gara.
Për sakrificën dhe kujtimet nga fronti i luftës në Baballoq, foli edhe ish-komandanti i UÇK-së, Ramush Haradinaj.
“Ne kemi kalu një periudhë të vështirë herët bashkë te vija e luftës, te vija e frontit Baballoq, e cila është vija e parë e luftës. U bënë shumë vjet, por nuk e harroj një lidhje që ndodhi një angazhim i përbashkët dhe filloi me një entuziazëm, me një bindje, me një shpresë që lufta e fillume do ta sjellë lirinë, pra, Baballoq, faleminderit sot, faleminderit për mot e për jetë”.
Nga lufta e fundit në Kosovë, ende janë të pagjetur mbi 1600 trupa nga lufta më 1998/99.
Kronikë e realizuar nga gazetarja Jona Kelmendi.



