Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Qeriqi, ka folur për përfundimin e mandatit të komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, më 30 nëntor, duke mos e përjashtuar mundësinë e ndryshimit të ligjit për vazhdimin e mandatit të tij.
I ftuar në emisionin “Mesditë” në TËVË1, Qeriqi ka thënë se pret të shohë se si do të zhvillohen gjërat në ditët në vijim, duke theksuar se nuk dëshiron të paragjykojë vendimin përfundimtar.
Ai ka vlerësuar punën e gjeneralit Jashari, duke thënë se FSK-ja ka oficerë të përgatitur dhe të aftë për të përmbushur detyrat e tyre.
“Unë me paragjykime nuk po dua. E di që përfundon më 30 nëntor dhe e di që ka qenë një mandat i paraparë me ligj. Ne po presim se si do të shkojë. E di që gjenerali Jashari ka bërë një punë të shkëlqyer. E di që FSK-ja ka oficerë të mirë dhe të zotë që i dalin zot detyrës, mirëpo nuk po dua të paragjykoj se çfarë do të ndodhë”, ka deklaruar Qeriqi.
Duke folur për mundësinë e vazhdimit të mandatit të Jasharit, deputeti i VV-së ka theksuar se ligjet mund të ndryshohen, por ka lënë të hapur nëse një gjë e tillë do të ndodhë në këtë rast.
“Sigurisht që ligji mund të ndryshohet dhe ligjet ndryshohen, por a do të ndryshohet ligji, a do ta vazhdojë mandatin gjenerali Jashari, në këtë rast ish-komandanti im, mbetet të shihet, sepse ne i kemi edhe tri ditë përpara”, është shprehur ai.
Ndryshe, TËVË1 ka raportuar më herët, bazuar në burime brenda Ministrisë së Mbrojtjes, se ishte shqyrtuar mundësia e ndryshimit të Ligjit për FSK-në, në mënyrë që Jasharit t’i mundësohej edhe një mandat pesëvjeçar.
Megjithatë, sipas burimeve të njëjta, të enjten është bërë e ditur se Qeveria nuk do të ndërmarrë një iniciativë të tillë dhe se në vend të Jasharit pritet të emërohet zëvendësi i tij, gjeneralmajor Enver Cikaqi.










